1 Dhe pasi kishte thirrur pranë dymbëdhjetë dishepujt e tij, ai u dha atyre fuqinë kundër frymërave të ndyra, t’i flakin jashtë, dhe të shërojnë çdo lloj sëmundjeje dhe çdo lloj lëngate.
2 Tani, emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta; I pari, Simoni, i cili quhej Pjetër, dhe Andrea vëllai i tij; Jakobi biri i Zebedeut, dhe Gjoni vëllai i tij;
3 Filipi, dhe Bartolomeu; Thomai, dhe Mateu taksambledhësi; Jakobi biri i Alfeut, dhe Lebausi, mbiemri i të cilit ishte Tadeus;
4 Simon kananiti, dhe Juda Iskarioti, i cili gjithashtu e tradhtoi atë.
5 Këta të dymbëdhjetë Jezusi i dërgoi, dhe i urdhëroi, duke thënë: Mos shkoni në rrugën e paganëve, dhe mos hyni në ndonjë qytet të samaritanëve;
6 Por më mirë shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
7 Dhe ndërsa shkoni, predikoni, duke thënë: Mbretëria e qiellit është afër.
8 Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni djajtë; falas morët, falas jepni.
9 Në qeset tuaja mos merrni flori, as argjend, as bakër,
10 As trasta për udhëtimin tuaj, as dy pallto, as këpucë, as edhe shkopinj; sepse punëtori është i denjë për ushqimin e tij.
11 Dhe në cilindo qytet apo fshat që do të hyni, kërkoni kush është i denjë në të; dha aty qëndroni derisa të largoheni prej andej.
12 Dhe kur të hyni në një shtëpi, përshëndeteni.
13 Dhe nëse shtëpia është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por nëse ajo nuk është e denjë, le të kthehet te ju paqja juaj.
14 Dhe kushdo që nuk do t’ju presë, as t’i dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi ose ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.
15 Me të vërtetë unë ju them: Do të jetë më e durueshme në ditën e gjykimit për vendin e Sodomës dhe të Gomorrës, se për atë qytet.
16 Ja, unë ju dërgoj si delet në mes të ujqërve; prandaj të jini të mençur si gjarpërinjtë, dhe të butë si pëllumbat.
17 Por ruhuni nga njerëzit; sepse ata do t’ju dorëzojnë në këshillat, dhe do t’ju kamxhikojnë në sinagogat e tyre;
18 Dhe ju do të silleni para qeveritarëve dhe mbretërve për hatrin tim, për dëshmi kundër tyre dhe paganëve.
19 Por kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni për çfarë apo si do të flisni; sepse do t’ju jepet juve në atë çast, çfarë duhet të thoni.
20 Sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Atit tuaj që flet brenda jush.
21 Dhe vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje, dhe ati të birin; dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve të tyre, dhe do të bëjnë që ata të dënohen me vdekje.
22 Dhe ju do të urreheni prej të gjithë njerëzve për hatër të emrit tim; por ai që duron deri në fund do të shpëtohet.
23 Por kur ata t’ju përndjekin në këtë qytet, ikni në një tjetër; sepse me të vërtetë unë ju them: Ju nuk do të keni shkuar në të gjitha qytetet e Izraelit, para se Biri i njeriut të ketë ardhur.
24 Dishepulli nuk është mbi mësuesin e tij, as shërbëtori mbi zotin e tij.
25 Është e mjaftueshme për dishepullin që ai të jetë si mësuesi i tij, dhe shërbëtori si zoti i tij. Nëse ata e kanë quajtur zotin e shtëpisë Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ata të shtëpisë së tij?
26 Prandaj mos iu trembni atyre; se nuk ka gjë të mbuluar, që nuk do të zbulohet; dhe të fshehur që nuk do të mësohet.
27 Atë që ju them në errësirë, atë thoni në dritë; dhe çfarë dëgjoni në vesh, atë predikoni mbi çatitë.
28 Dhe mos iu trembni atyre që vrasin trupin, por që s’janë të aftë të vrasin shpirtin; por më mirë t’i trembeni atij që është i aftë ta shkatërrojë si shpirtin edhe trupin në ferr.
29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? Dhe nuk do të bjerë njëri prej tyre përdhe pa Atin tënd.
30 Por edhe qimet e kokës suaj janë të numëruara të gjitha.
31 Prandaj mos u trembni, ju keni më shumë vlerë se shumë trumcakë.
32 Prandaj kushdo që do më rrëfejë mua para njerëzve, atë do të rrëfej edhe unë para Atit tim që është në qiell.
33 Por kushdo që do të më mohojë mua para njerëzve, atë do të mohoj edhe unë para Atit tim që është në qiell.
34 Mos mendoni se unë kam ardhur të sjell paqe mbi dhe; unë nuk erdha për të sjellur paqe, por shpatë.
35 Sepse unë kam ardhur të vë një njeri kundër babait të tij, dhe bijën kundër nënës së saj, dhe nusen kundër vjehrrës së saj.
36 Dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së tij.
37 Ai që do babanë apo nënën më shumë se mua nuk është i denjë për mua; dhe ai që do birin apo bijën më shumë se mua nuk është i denjë për mua.
38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e tij, dhe të më ndjekë mua, nuk është i denjë për mua.
39 Ai që gjen jetën e tij do ta humbasë atë; dhe ai që humbet jetën e tij për hatrin tim do ta gjejë atë.
40 Ai që ju pranon ju pranon mua, dhe ai që më pranon mua pranon atë që më dërgoi mua.
41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti do të marrë shpërblimin e një profeti; dhe ai që pranon një njeri të drejtë në emër të një njeriu të drejtë do të marrë shpërblimin e njeriut të drejtë.
42 Dhe kushdo që do t’i japë të pijë njërit prej këtyre të vegjëlve një gotë uji të ftohtë vetëm në emër të një dishepulli, unë me të vërtetë ju them, ai në asnjë mënyrë nuk do ta humbasë shpërblimin e tij.