1 Të njëjtën ditë Jezusi doli nga shtëpia, dhe u ul në breg të detit.
2 Dhe turma të mëdha u mblodhën bashkë tek ai, kështu që ai hyri në një barkë, dhe u ul; dhe gjithë turma qëndroi në breg.
3 Dhe ai u foli shumë gjëra atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: Ja, një mbjellës doli të mbjellë.
4 Dhe kur mbolli, disa fara ranë në anë të rrugës, dhe erdhën shpendët dhe i hëngrën;
5 Disa ranë në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe; dhe menjëherë ato mbinë, sepse nuk kishin thellësinë në dhe;
6 Dhe kur lindi dielli, u dogjën; dhe meqë s’kishin rrënjë, ato u thanë.
7 Dhe disa ranë midis ferrave; dhe ferrat u rritën, dhe i mbytën.
8 Por të tjera ranë në dhe të mirë, dhe dhanë fruta, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetëfish, disa tridhjetëfish.
9 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
10 Dhe erdhën dishepujt, dhe i thanë atij: Pse u flet atyre me shëmbëlltyra?
11 Ai u përgjigj dhe u tha: Sepse juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiellit, por atyre nuk u është dhënë.
12 Sepse kushdo që ka, atij do t’i jepet, dhe ai do të ketë bollëk akoma më shumë; por kushdo që nuk ka, prej tij do të merret edhe ajo që ka.
13 Prandaj unë u flas atyre me shëmbëlltyra; sepse ata duke parë nuk shikojnë; dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë, as kuptojnë.
14 Dhe ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: Duke dëgjuar ju do të dëgjoni, dhe nuk do të kuptoni; dhe duke parë ju do të shikoni, por nuk do të vini re;
15 Sepse zemra e këtij populli është bërë e trashë, dhe veshët e tyre janë të ngadaltë për të dëgjuar, dhe sytë e tyre i kanë mbyllur; që të mos shikojnë kurrë me sytë e tyre, të dëgjojnë me veshët e tyre, dhe të kuptojnë me zemrën e tyre, dhe të shndërrohen, dhe unë t’i shëroj ata.
16 Por të bekuar janë sytë tuaj, se shikojnë; dhe veshët tuaj, se dëgjojnë.
17 Sepse me të vërtetë unë ju them: Se shumë profetë dhe të drejtë dëshiruan t’i shikojnë ato gjëra që ju shikoni , dhe nuk i kanë parë; dhe t’i dëgjojnë ato gjëra që ju dëgjoni, dhe nuk i kanë dëgjuar.
18 Prandaj dëgjojeni shëmbëlltyrën e mbjellësit.
19 Kur çdokush e dëgjon fjalën e mbretërisë, dhe nuk e kupton, pastaj vjen i ligu, dhe e merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai që mori farë në anë të rrugës.
20 Por ai që mori farën në gurishte, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe menjëherë e pranon me gëzim;
21 Ai ende s’ka rrënjë brenda vetes, por vazhdon për pak kohë; sepse kur vijnë mundime ose përndjekje për shkak të fjalës, ai shpejt skandalizohet.
22 Ai gjithashtu që mori farë midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën; por kujdesi i kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë, e mbysin fjalën, dhe ai bëhet i pafrytshëm.
23 Por ai që mori farë në dhe të mirë është ai që e dëgjon fjalën, dhe e kupton atë; që gjithashtu jep frut, dhe po prodhojnë, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë, disa tridhjetë.
24 Dhe ai u tregoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër, duke thënë: Mbretëria e qiellit i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e tij;
25 Por ndërsa njerëzit flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjra nëpër grurë, dhe iku.
26 Por kur gruri u rrit, dhe dha frut, atëherë u shfaqën egjrat gjithashtu.
27 Kështu shërbëtorët e zotërisë erdhën dhe i thanë: Zotëri, a nuk mbolle ti farë të mirë në arën tënde? Atëherë nga erdhën egjrat?
28 Ai u tha atyre: Një armik e ka bërë këtë. Shërbëtorët i thanë: Do ti atëherë që ne të shkojmë dhe t’i mbledhim?
29 Por ai tha: Jo; se mos ndërsa mblidhni egjrat, ju shkulni me to edhe grurin.
30 Lerini të rriten bashkë deri në të korra; dhe në kohën e të korrave unë do t’u them korrësve: Mblidhni në fillim egjrat dhe i lidhni në duaj për t’i djegur; por mblidheni grurin në hambarin tim.
31 Ai u vuri para atyre një shëmbëlltyrë tjetër, duke thënë: Mbretëria e qiellit i ngjan një kokrre sinapi, që një njeri mori dhe e mbolli në arën e tij;
32 E cila me të vërtetë është më e vogla nga të gjitha farërat; por kur rritet, është më e madhja midis bimëve barishtore, dhe bëhet pemë, sa që zogjtë e qiellit vijnë dhe strehohen në degët e saj.
33 Ai u tha atyre një tjetër shëmbëlltyrë: Mbretëria e qiellit është si majaja, të cilën e mori një grua, dhe e fshehu në tri masa miell, derisa e tëra u mbrujt.
34 Dhe të gjitha këto gjëra Jezusi ia tha turmës me shëmbëlltyra; dhe ai nuk u foli atyre pa shëmbëlltyrë;
35 Që të mund të përmbushej çfarë u tha nga profeti, duke thënë: Unë do ta hap gojën time në shëmbëlltyra; unë do të tregoj gjëra që janë mbajtur të fshehta që nga themelimi i botës.
36 Më pas Jezusi e largoi turmën, dhe hyri në shtëpi; dhe dishepujt e tij erdhën tek ai, duke thënë: Na trego neve shëmbëlltyrën e egjrave të arës.
37 Ai u përgjigj dhe u tha atyre: Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut;
38 Ara është bota; fara e mirë janë fëmijët e mbretërisë; por egjrat janë fëmijët e të ligut;
39 Armiku që i mbolli ato është djalli; të korrat janë fundi i botës; dhe korrësit janë engjëjt.
40 Prandaj ashtu si egjrat mblidhen dhe digjen në zjarr; kështu do të jetë në fund të kësaj bote.
41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij, dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij të gjitha gjërat që bëjnë skandal, dhe ata që bëjnë paudhësi;
42 Dhe do t’i hedhë në një furrë zjarri; atje do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhëmbësh.
43 Atëherë të drejtët do të ndriçojnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
44 Përsëri, mbretëria e qiellit është si thesari i fshehur në arë; të cilin kur një njeri e gjen, ai e fsheh, dhe nga gëzimi i tij shkon dhe shet gjithçka që ka, dhe e blen atë arë.
45 Përsëri, mbretëria e qiellit është si një tregtar, që kërkon margaritarë të bukur;
46 I cili, kur gjeti një margaritar shumë të shtrenjtë, shkoi dhe shiti gjithçka që kishte, dhe e bleu atë.
47 Përsëri, mbretëria e qiellit është si një rrjetë, që u hodh në det, dhe grumbulloi prej çdo lloji;
48 E cila, kur u mbush, ata e tërhoqën në breg, dhe u ulën, dhe mblodhën të mirat në enë, por i hodhën jashtë të këqijat.
49 Kështu do të jetë në fundin e botës; engjëjt do të dalin, dhe do t’i shkëpusin të këqijtë prej të drejtëve,
50 Dhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhëmbësh.
51 Jezusi u thotë atyre: I keni kuptuar të gjitha këto gjëra? Ata i thonë: Po, Zot.
52 Atëherë ai u thotë atyre: Prandaj çdo skrib që është udhëzuar në mbretërinë e qiellit është si një njeri që është zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra.
53 Dhe ndodhi që kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, ai u largua prej andej.
54 Dhe kur ai erdhi në vendin e tij, ai u dha mësim atyre në sinagogën e tyre, aq sa ata u habitën, dhe thanë: Nga i erdhën këtij kjo mençuri, dhe këto vepra të mëdha?
55 A nuk është ky biri i marangozit? A nuk quhet nëna e tij Maria? Dhe vëllezërit e tij, Jakobi, dhe Josiu, dhe Simoni, dhe Juda?
56 Edhe motrat e tij, a nuk janë ato të gjithë me ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto gjëra?
57 Dhe ata u skandalizuan me të. Por Jezusi u tha: Një profet nuk është pa nder, përveç në vendin e tij, dhe në shtëpinë e tij.
58 Dhe ai nuk bëri shumë vepra të mëdha atje për shkak të mosbesimit të tyre.