1 Atëherë erdhën te Jezusi skribët dhe farisenjtë, që ishin nga Jeruzalemi, duke thënë:
2 Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart e tyre kur hanë bukë.
3 Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: Përse shkelni edhe ju urdhërimin e Perëndisë nëpërmjet traditës suaj?
4 Sepse Perëndia urdhëroi, duke thënë: Ndero atin dhe nënën tënde; dhe: Ai që mallkon atin ose nënën, le të dënohet me vdekje.
5 Por ju thoni: Kushdo që do t’i thotë atit ose nënës së tij: Nga çfarëdo që ti të mund të përfitosh prej meje, është një dhuratë;
6 Dhe nuk nderon atin e tij ose nënën e tij, ai do të jetë i lirë. Kështu ju e keni bërë urdhërimin e Perëndisë pa ndonjë efekt prej traditës suaj.
7 Ju hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju, duke thënë:
8 Këta njerëz më afrohen me gojën e tyre, dhe më nderojnë me buzët e tyre; por zemra e tyre është larg prej meje.
9 Por më kot më adhurojnë, duke i mësuar urdhërimet e njerëzve për doktrina.
10 Dhe ai thirri turmën, dhe u tha atyre: Dëgjoni, dhe kuptoni;
11 Nuk e ndot njeriun çfarë hyn në gojën e tij; por ajo që del nga goja, kjo e ndot njeriun.
12 Atëherë erdhën dishepujt e tij, dhe i thanë: E di ti që farisenjtë u skandalizuan, pasi e dëgjuan këtë fjalë?
13 Por ai u përgjigj dhe tha: Çdo bimë, të cilën nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të çrrënjoset.
14 Lërini ata; ata janë prijës të verbër të të verbërve. Dhe nëse i verbri i prin të verbërit, të dy do të bien në gropë.
15 Atëherë u përgjigj Pjetri dhe i tha: Na e sqaro neve këtë shëmbëlltyrë.
16 Dhe Jezusi tha: Akoma nuk kuptoni edhe ju?
17 A nuk kuptoni ende, që çdo gjë që hyn në gojë shkon në bark, dhe del jashtë në gjiriz?
18 Por ato gjëra që dalin nga goja burojnë nga zemra; dhe ato e ndotin njeriun.
19 Sepse nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, shkeljet e kurorës, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë;
20 Këto janë gjërat që e ndotin njeriun; por të hash me duar të palara nuk e ndot njeriun.
21 Atëherë Jezusi u largua, dhe shkoi në kufijtë e Tyrusit dhe Sidonës.
22 Dhe, ja, një grua prej Kanaanit erdhi nga ato kufij, dhe i thirri, duke thënë: Ki mëshirë për mua, O Zot, ti Biri i Davidit; bija ime është pushtuar keqas nga një djall.
23 Por nuk iu përgjigj ndonjë fjalë. Dhe dishepujt e tij erdhën dhe iu lutën, duke thënë: Largoje atë; sepse ajo bërtet pas nesh.
24 Por ai u përgjigj dhe tha: Nuk u dërgova gjetiu përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
25 Atëherë ajo erdhi dhe e adhuroi atë, duke thënë: Zot, ndihmomë.
26 Por ai u përgjigj dhe tha: Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh qenve.
27 Dhe ajo tha: E vërtetë, Zot; por prapë qentë hanë prej thërrimeve që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.
28 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe i tha: O grua, i madh është besimi yt; qoftë për ty ashtu si të duash. Dhe që nga ai çast bija e saj u shërua.
29 Dhe Jezusi u largua prej andej, dhe erdhi pranë detit të Galilesë; dhe u ngjit lart në mal, dhe u ul atje.
30 Dhe turma të mëdha erdhën tek ai, duke pasur me vete ata që ishin të çalë, të verbër, memecë, të gjymtuar, dhe shumë të tjerë, dhe i hodhën te këmbët e Jezusit; dhe ai i shëroi ata;
31 Aq sa turma u mrekullua, kur panë memecët të flisnin, të gjymtuarit të shëroheshin, të çalët të ecnin, dhe të verbërit të shikonin; dhe ata lavdëronin Perëndinë e Izraelit.
32 Atëherë Jezusi thirri pranë dishepujt e tij, dhe tha: Unë kam dhembshuri për turmën, sepse ata vazhdojnë me mua tani tri ditë, dhe nuk kanë gjë për të ngrënë; dhe unë nuk dua t’i largoj ata të pangrënë, që të mos rraskapiten gjatë rrugës.
33 Dhe dishepujt e tij i thonë: Ku mund të gjejmë kaq shumë bukë në shkretëtirë, sa të ngopim një turmë kaq të madhe?
34 Dhe Jezusi u tha atyre: Sa bukë keni ju? Dhe ata thanë: Shtatë, dhe pak peshq të vegjël.
35 Dhe ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe.
36 Dhe ai i mori të shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, dhe i theu, dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37 Dhe ata të gjithë hëngrën, dhe u ngopën; dhe ata mblodhën nga copërat ushqimore që mbetën shtatë shporta plot.
38 Dhe ata që hëngrën ishin katërmijë burra, përveç grave dhe fëmijëve.
39 Dhe ai e largoi turmën, mori një barkë, dhe erdhi në kufijtë e Magdalas.