1 Dhe ndodhi, që pasi Jezusi i mbaroi këto fjalë, ai u largua prej Galilesë, dhe erdhi në kufijtë e Judeas përtej Jordanit;
2 Turma të mëdha e ndoqën atë; dhe ai i shëroi ata atje.
3 Farisenjtë gjithashtu erdhën tek ai, duke e tunduar, dhe duke thënë: A është e ligjshme për një njeri që për çdo arsye ta largojë gruan e tij?
4 Dhe ai u përgjigj dhe u tha atyre: Nuk keni lexuar, se ai që i bëri ata në fillim i bëri ata meshkuj dhe femra.
5 Dhe tha: Për këtë arsye një njeri do ta lërë babanë dhe nënën, dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe ata të dy do të jenë një mish?
6 Prandaj ata nuk janë më dy, por një mish. Prandaj atë që Perëndia e ka bashkuar, le të mos e ndajë njeri.
7 Ata i thonë atij: Atëherë përse urdhëroi Moisiu të jepet një letër ndarje, dhe ta largojë gruan?
8 Ai u thotë atyre: Moisiu për shkak të ngurtësimit të zemrave tuaja ju lejoi t’i largoni gratë tuaja; por prej fillimit nuk ishte kështu.
9 Dhe unë ju them: Kushdo që do ta largojë gruan e tij, përveç kur është për kurvërim, dhe të martohet me një tjetër, shkel kurorën; dhe kushdo që martohet me gruan e larguar shkel kurorën.
10 Dishepujt e tij i thanë: Nëse çështja e burrit është kështu me gruan e tij, nuk është mirë të martohet.
11 Por ai u tha atyre: Jo të gjithë mund ta pranojnë këtë fjalë, përveç atyre që u është dhënë.
12 Sepse janë disa eunukë, që u lindën kështu nga mitra e nënës së tyre; dhe ka disa eunukë, që u bënë eunukë prej njerëzve; dhe ka eunukë, që e bënë veten e tyre eunukë për hir të mbretërisë së qiellit. Ai që mund ta pranojë këtë, le ta pranojë.
13 Atëherë i sollën atij fëmijë të vegjël, që ai të vendoste duart e tij mbi ta, dhe të lutej; dhe dishepujt i qortuan.
14 Por Jezusi tha: Lejojini fëmijët e vegjël, dhe mos i ndaloni ata, të vijnë tek unë; sepse prej të tillëve është mbretëria e qiellit.
15 Dhe ai vendosi duart e tij mbi ta, dhe iku prej andej.
16 Dhe, ja, erdhi njëri dhe i tha atij: Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj unë, që të mund të kem jetë të përjetshme?
17 Dhe ai i tha atij: Përse më quan i mirë? Nuk ka asnjë të mirë përveç njërit, që është, Perëndia; por nëse ti do që të hysh në jetë, ruaji urdhërimet.
18 Ai i thotë atij: Cilat? Jezusi tha: Mos bëj vrasje, Mos shkel kurorën, Mos vidh, Mos bëj dëshmi të rreme,
19 Ndero atin tënd dhe nënën tënde; dhe, Ta duash fqinjin tënd si veten tënde.
20 I riu i thotë atij: Të gjitha këto gjëra i kam ruajtur që nga rinia ime; çfarë tjetër më mungon?
21 Jezusi i tha atij: Nëse ti do që të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, dhe jepu të varfërve, dhe ti do të kesh thesar në qiell; dhe eja dhe më ndiq mua.
22 Por kur i riu e dëgjoi atë fjalë, ai u largua i brengosur; sepse ai kishte pasuri të mëdha.
23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të tij: Me të vërtetë ju them: Se një i pasur vështirë të hyjë në mbretërinë e qiellit.
24 Dhe përsëri unë ju them: Është më e lehtë për një deve të kalojë përmes vrimës së gjilpërës, se për një të pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
25 Kur dishepujt e tij e dëgjuan, ata u mrekulluan jashtë mase, duke thënë: Atëherë kush mund të shpëtohet?
26 Por Jezusi i vështroi ata, dhe u tha: Me njerëzit kjo është e pamundur; por me Perëndinë gjithçka është e mundur.
27 Atëherë Pjetri u përgjigj dhe i tha atij: Ja, ne kemi braktisur gjithçka, dhe të ndoqëm ty; çfarë do të kemi ne atëherë?
28 Dhe Jezusi u tha atyre: Me të vërtetë unë ju them: Se ju që më keni ndjekur, në rilindjen kur Biri i njeriut do të ulet në fronin e lavdisë së tij, ju gjithashtu do të uleni mbi dymbëdhjetë frone, të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe çdonjëri që ka braktisur shtëpitë, ose vëllezërit, ose motrat, ose atin, ose nënën, ose gruan, ose fëmijët, ose tokën, për hatër të emrit tim, do të marrë njëqindfish, dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
30 Por shumë që janë të parët do të jenë të fundit; dhe të fundit do të jenë të parët.