1 Dhe kur ata iu afruan Jeruzalemit, dhe arritën në Bethfik, te Mali i Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy dishepuj,
2 Duk u thënë atyre: Shkoni në fshatin përballë jush; dhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur, dhe një pulisht me të; zgjidhini ata dhe m’i sillni mua.
3 Dhe nëse ndo njeri ju thotë gjë, ju do të thoni: Zoti ka nevojë për to; dhe ai do t’i dërgojë ato menjëherë.
4 E gjithë kjo u bë, që të mund të përmbushej çfarë u tha prej profetit, duke thënë:
5 I thoni bijës së Sionit: Ja, Mbreti yt vjen te ti, zemërbutë, dhe hipur mbi një gomare, dhe një pulisht pjellë e një gomareje.
6 Dhe dishepujt shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi Jezusi,
7 Dhe sollën gomaren, e pulishtin, dhe vunë mbi to rrobat e tyre, dhe e hypën atë sipër.
8 Dhe një turmë shumë e madhe shtruan rrobat e tyre në rrugë; disa të tjerë pritën degë prej pemëve, dhe i shtruan në rrugë.
9 Dhe turmat që shkuan përpara, edhe ato që erdhën nga mbrapa, bërtitën, duke thënë: Hosana Birit të Davidit; I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit; Hosana në më të lartën.
10 Dhe pasi mbriti në Jeruzalem, i gjithë qyteti u tund, duke thënë: Kush është ky?
11 Dhe turmat thanë: Ky është Jezusi profeti nga Nazareti i Galilesë.
12 Dhe Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, dhe i flaku jashtë të gjithë ata që shisnin dhe blenin në tempull, përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave, dhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba,
13 Dhe u tha atyre: Është shkruar: Shtëpia ime do të quhet shtëpia e lutjes; por ju e keni bërë një strofkë hajdutësh.
14 Dhe të verbër dhe të çalë erdhën tek ai në tempull; dhe ai i shëroi ata.
15 Dhe kur kryepriftërinjtë dhe skribët panë gjërat e mrekullueshme që ai bëri, dhe fëmijët në tempull duke bërtitur, e duke thënë: Hosana Birit të Davidit; ata u zemëruan shumë,
16 Dhe i thanë atij: A dëgjon ti çfarë thonë këta? Dhe Jezusi u tha atyre: Po; a nuk keni lexuar: Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave të gjirit ti ke përsosur lavdinë?
17 Dhe ai i la ata, dhe doli jashtë qytetit në Betani; dhe qëndroi atje.
18 Tani, në mëngjes kur u kthye në qytet, e mori uria.
19 Dhe kur pa një fik gjatë rrugës, ai iu afrua, dhe nuk gjeti gjë në të, por vetëm gjethe, dhe i tha: Mos u bëftë frut prej teje nga ky çast e tutje përgjithmonë. Dhe fiku u tha menjëherë.
20 Dhe kur dishepujt e panë, ata u habitën, duke thënë: Sa shpejt u tha fiku!
21 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: Me të vërtetë unë ju them: Nëse ju keni besim, dhe nuk dyshoni, ju jo vetëm do të bëni këtë që iu bë fikut, por gjithashtu nëse ju do t’i thoni këtij mali: Largohu, dhe hidhu në det; do të bëhet.
22 Dhe të gjitha gjërat, çfarëdo që ju do të kërkoni në lutje, duke besuar, do ta merrni.
23 Dhe pasi erdhi në tempull, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit erdhën tek ai ndërsa po jepte mësim dhe i thanë: Me çfarë autoriteti i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta dha ty këtë autoritet?
24 Dhe Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: Unë gjithashtu do t’ju pyes juve një gjë, të cilën nëse ma thoni, unë në të njëjtën mënyrë do t’ju tregoj me çfarë autoriteti i bëj këto gjëra.
25 Pagëzimi i Gjonit, nga ishte? Prej qiellit, apo prej njerëzve: Dhe ata midis tyre arsyetonin, duke thënë, Nëse ne do themi: Prej qiellit; ai do të na thotë neve: Atëherë përse nuk i besuat atij?
26 Por nëse ne do të themi: Prej njerëzve; ne kemi frikë nga njerëzit; sepse të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.
27 Dhe ata iu përgjigjën Jezusit, dhe thanë: Ne nuk e dimë. Dhe ai u tha atyre: As unë nuk ju them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra.
28 Po ju çfarë mendoni? Një burrë kishte dy bij; dhe ai erdhi tek i pari dhe tha: Bir, shko e puno sot në vreshtin tim.
29 Ai u përgjigj dhe tha: Nuk dua; por më pas u pendua, dhe shkoi.
30 Dhe ai erdhi tek i dyti, dhe i tha njësoj. Dhe ai u përgjigj dhe tha: Po shkoj, zotëri; por nuk shkoi.
31 Cili prej të dyve bëri vullnetin e atit të tij? Ata i thonë: I pari. Jezusi u thotë atyre: Me të vërtetë ju them: Se taksambledhësit dhe kurvat shkojnë para jush në mbretërinë e Perëndisë.
32 Sepse Gjoni erdhi te ju në rrugën e drejtësisë, dhe ju nuk e besuat; por taksambledhësit dhe kurvat e besuan atë; dhe ju, pasi e kishit parë, nuk u penduat më pas, që ju të mund ta besonit atë.
33 Dëgjoni një tjetër shëmbëlltyrë: Ishte një zot shtëpie, i cili mbolli një vresht, dhe e gardhoi atë, dhe gërmoi në të një vend për shtrydhjen e rrushit, dhe ndërtoi një kullë, dhe ua dha me qira fermerëve, dhe shkoi në një vend të largët;
34 Dhe kur koha e frutave u afrua, ai i dërgoi shërbëtorët e tij te fermerët, që të merrnin frutat e tij.
35 Dhe fermerët i morën shërbëtorët e tij, dhe njërin e rrahën, dhe vranë një tjetër, dhe një tjetër e goditën me gurë.
36 Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë më shumë se në fillim; dhe ata ua bënë njësoj.
37 Por më në fund ai dërgoi birin e tij tek ata, duke thënë: Ata do ta nderojnë birin tim.
38 Por kur fermerët e panë birin, ata thanë mes tyre: Ky është trashëgimtari; ejani, le ta vrasim, dhe të kapim trashëgiminë e tij.
39 Dhe ata e zunë, dhe e flakën nga vreshti, dhe e vranë.
40 Prandaj kur të vijë zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë atyre fermerëve?
41 Ata i thanë atij: Ai do t’i shkatërrojë shumë keqas ata njerëz të këqij, dhe do t’ua japë me qira vreshtin e tij fermerëve të tjerë, që do t’i japin atij frutat në kohët e tyre.
42 Jezusi u thotë atyre: Nuk keni lexuar ndonjëherë në shkrimet: Guri që ndërtuesit e refuzuan, ai u bë kreu i qoshes; kjo është vepra e Zotit, dhe në sytë tanë është e mrekullueshme?
43 Prandaj unë ju them: Mbretëria e Perëndisë do të hiqet prej jush, dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frutat e saj.
44 Dhe kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të thyhet; por mbi cilindo që do të bjerë, do ta dërrmojë atë në pluhur.
45 Dhe pasi kryepriftërinjtë dhe farisenjtë i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, ata e kuptuan se ai po fliste për ta.
46 Por kur kërkuan ta kapnin atë, ata iu trembën turmës, sepse ata e kishin si profet.