1 Atëherë mbretëria e qiellit do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat morën llambat e tyre, dhe dolën për ta takuar dhëndrin.
2 Pesë nga ato ishin të mençura, dhe pesë ishin budallaçka.
3 Ato që ishin budallaçka morën llambat e tyre, dhe nuk morën vaj me vete;
4 Por të mençurat bashkë me llambat morën vaj në enët e tyre.
5 Ndërsa dhëndri vonoi, ato të gjitha dremitën dhe fjetën.
6 Dhe në mesnatë u bë një thirrje: Ja, po vjen dhëndri; dilni ta takoni.
7 Atëherë u ngritën të gjitha virgjëreshat dhe stolisën llambat e tyre.
8 Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: Na jepni nga vaji juaj; sepse llambat tona u fikën.
9 Por të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Jo kështu; se mos nuk mjafton për ne dhe për ju; por më mirë shkoni tek ata që shesin, dhe blini për veten tuaj.
10 Dhe ndërsa ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri; dhe ata që ishin gati hynë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
11 Më mbrapa erdhën gjithashtu virgjëreshat e tjera, duke thënë: Zot, Zot, hapna.
12 Por ai u përgjigj dhe tha: Me të vërtetë ju them: Unë nuk ju njoh.
13 Prandaj rrini zgjuar, sepse ju nuk dini as ditën as orën në të cilën vjen Biri i njeriut.
14 Sepse mbretëria e qiellit është si një njeri që udhëtoi në një vend shumë të largët, i cili thirri shërbëtorët e vet dhe ua dha atyre pasuritë e tij.
15 Dhe njërit i dha pesë talenta, një tjetri dy, dhe një tjetri një; secilit sipas aftësive të tij të veçanta; dhe menjëherë u nis në udhëtim. 16 Atëherë ai që mori të pesë talentat shkoi dhe tregtoi me to, dhe i bëri pesë talenta të tjerë.
17 Dhe po kështu ai që mori dy, ai gjithashtu fitoi dy të tjerë.
18 Por ai që mori një shkoi dhe gërmoi dheun, dhe e fshehu paranë e zotit të tij.
19 Pas një kohe të gjatë vjen zoti i atyre shërbëtorëve, dhe bën llogari me ta.
20 Dhe kështu ai që mori pesë talenta erdhi dhe solli pesë talenta të tjerë, duke thënë: Zot, ti më dhe mua pesë talenta; ja, unë kam fituar përveç atyre pesë talenta të tjerë.
21 Zoti i tij i tha: Të lumtë, ti shërbëtor i mirë dhe besnik; ti ke qenë besnik mbi pak gjëra, unë do të të bëj ty drejtues mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd.
22 Ai që gjithashtu kishte marrë dy talenta erdhi dhe tha: Zot, ti më dhe mua dy talenta; ja, unë kam fituar dy talenta të tjera përveç atyre.
23 Zoti i tij i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti ke qenë besnik mbi pak gjëra, unë do të të bëj ty drejtues mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd.
24 Atëherë ai që kishte marrë një talent erdhi dhe tha: Zot, unë e dija që ti je një njeri i ashpër, që korr ku nuk ke mbjellur, dhe mbledh ku nuk ke shpërndarë;
25 Dhe unë u tremba, dhe shkova e fsheha talentën tënd në dhe; ja, ku e ke tënden.
26 Zoti i tij u përgjigj dhe i tha: Ti shërbëtor i keq dhe përtac, ti e dije që unë korr ku nuk mbolla, dhe mbledh ku nuk shpërndava;
27 Prandaj ti duhet t’ia kishe dhënë paranë time këmbyesve të parave, dhe pastaj tek ardhja ime unë do ta kisha marrë timen me interes.
28 Prandaj merrjani talenten atij, dhe jepjani atij që ka dhjetë talenta.
29 Sepse atij që ka do t’i jepet, dhe ai do të ketë bollëk; por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo që ka.
30 Dhe hidheni shërbëtorin jofitimprurës në errësirën e jashtme; atje do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhëmbësh.
31 Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, dhe të gjithë engjëjt e shenjtë me të, atëherë ai do të ulet mbi fronin e lavdisë së tij.
32 Dhe para tij do të mblidhen të gjithë kombet; dhe ai do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet e tij nga dhitë;
33 Dhe ai do t’i vendosë delet në të djathtë, dhe dhitë në të majtë.
34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre në të djathtë të tij: Ejani, ju të bekuarit e Atit tim, ta trashëgoni mbretërinë të përgatitur për ju që nga themelimi i botës;
35 Sepse unë isha i uritur, dhe ju më dhatë për të ngrënë; isha i etur, dhe ju më dhatë për të pirë; isha i huaj, dhe ju më morët brenda;
36 I zhveshur dhe ju më veshët; isha i sëmurë, dhe ju më vizituat; isha në burg, dhe ju erdhët tek unë.
37 Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen atij, duke thënë: Zot, kur të pamë të uritur, dhe të dhamë për të ngrënë? Apo të etur, dhe të dhamë për të pirë?
38 Kur të pamë të huaj, dhe të morëm brenda? Apo të zhveshur, dhe të veshëm?
39 Ose kur të pamë të sëmurë, ose në burg, dhe erdhëm te ti?
40 Dhe Mbreti do të përgjigjet dhe do t’u thotë atyre: Me të vërtetë ju them: Për aq sa ia keni bërë njërit prej më të vegjëlve të këtyre vëllezërve të mi, ma keni bërë mua.
41 Atëherë ai do t’u thotë gjithashtu atyre në të majtë: Largohuni prej meje, ju të mallkuar, në zjarrin e përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij;
42 Sepse unë isha i uritur, dhe ju nuk më dhatë për të ngrënë; isha i etur, dhe nuk më dhatë për të pirë;
43 Unë isha i huaj, dhe ju nuk më morët brenda; i zhveshur, dhe ju nuk më veshët; i sëmurë, dhe në burg, dhe ju nuk më vizituat.
44 Atëherë ata gjithashu do t’i përgjigjen atij, duke thënë: Zot, kur të pamë të uritur, ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të sëmurë, ose në burg, dhe nuk të shërbyem?
45 Atëherë ai do t’u përgjigjet atyre, duke thënë: Me të vërtetë ju them: Për aq sa ju nuk ia bëtë njërit prej më të vegjëlve të këtyre, ju nuk ma bëtë mua.
46 Dhe këta do të shkojnë në ndëshkim të përjetshëm; por të drejtët në jetë të përjetshme.