1 Dhe ndodhi që, pasi Jezusi i kishte mbaruar të gjitha këto fjalë, ai u tha dishepujve të tij:
2 Ju e dini se pas tri ditësh është festa e pashkës, dhe Biri i njeriut është tradhëtuar për t’u kryqëzuar.
3 Atëherë u mblodhën bashkë kryepriftërinjtë, dhe skribët, dhe pleqtë e popullit, në pallatin e kryepriftit që quhej Kaifas,
4 Dhe u konsultuan që të mund ta kapnin Jezusin me dredhi, dhe ta vrisnin atë.
5 Por ata thanë: Jo në ditën e festës, që të mos ketë trazirë mes popullit.
6 Tani, ndërsa Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit lebrozit,
7 Atje erdhi një grua që kishte një kuti alabastri me vaj të parfumuar shumë të shtrenjtë, dhe e derdhi atë mbi kokën e tij, ndërsa ai ishte ulur për të ngrënë.
8 Por kur dishepujt e tij e panë këtë, ata u zemëruan, duke thënë: Për çfarë qëllimi është ky shpenzim i kotë?
9 Sepse ky vaj i parfumuar mund të ishte shitur shtrenjtë, dhe t’u jepej të varfërve.
10 Kur Jezusi e kuptoi, ai u tha atyre: Përse e shqetësoni gruan? Sepse ajo ka bërë një punë të mirë ndaj meje.
11 Sepse të varfërit i keni me ju gjithmonë; por mua nuk më keni gjithmonë.
12 Sepse në atë që ajo derdhi këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për varrimin tim.
13 Me të vërtetë ju them: Kudo që do të predikohet ky ungjill në të gjithë botën, edhe kjo, që bëri kjo grua, do të tregohet në përkujtim të saj.
14 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, i quajtur Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë,
15 Dhe u tha atyre: Çfarë do të më jepni mua, dhe unë t’jua dorëzoj atë? Dhe ata ranë dakord me të për tridhjetë copa argjendi.
16 Dhe prej asaj kohe ai kërkonte rastin për ta tradhtuar atë.
17 Tani ditën e parë të festës të bukës së ndorme dishepujt erdhën te Jezusi, duke i thënë: Ku dëshiron që ne të përgatisim për ty të hash pashkën?
18 Dhe ai tha: Shkoni në qytet te filani, dhe i thoni atij: Mësuesi thotë: Koha ime është afër; unë do ta bëj pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi.
19 Dhe dishepujt bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Jezusi; dhe ata e përgatitën pashkën.
20 Tani, kur erdhi mbrëmja, ai u ul me të dymbëdhjetët.
21 Dhe ndërsa hanin, ai tha: Me të vërtetë unë ju them, se njëri prej jush do të më tradhtojë.
22 Dhe ata u pikëlluan jashtë mase, dhe filluan secili t’i thoshte atij: Zot, unë jam ai?
23 Dhe ai u përgjigj dhe tha: Ai që ngjyen dorën e tij me mua në pjatë, ai do të më tradhtojë.
24 Biri i njeriut shkon siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri prej të cilit Biri i njeriut është tradhtuar! Do të kishte qenë mirë për atë njeri nëse ai nuk do të kishte lindur.
25 Atëherë Juda, që e tradhtoi atë, u përgjigj dhe tha: Mësues, unë jam ai? Ai i tha: Ti ke thënë.
26 Dhe ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve, dhe tha: Merrni, hani; ky është trupi im.
27 Dhe mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre, duke thënë: Pini prej saj ju të gjithë;
28 Sepse ky është gjaku im i dhiatës së re, që është derdhur për shumë për faljen e mëkateve.
29 Por unë ju them: Unë që nga ky çast nuk do të pi nga ky frut i hardhisë, deri në atë ditë kur ta pi të ri me ju në mbretërinë e Atiti tim.
30 Dhe pasi kënduan një himn, ata dolën jashtë në malin e Ullinjve.
31 Atëherë Jezusi u thotë atyre: Këtë natë ju të gjithë do të skandalizoheni për shkakun tim; sepse është shkruar: Unë do të godas bariun, dhe delet e tufës do të shpërndahen.
32 Por pasi të ngjallem përsëri, unë do të shkoj para jush në Galile.
33 Pjetri u përgjigj dhe i tha: Edhe sikur të gjithë njerëzit të skandalizohen për shkakun tënd, prapë unë nuk do të skandalizohem kurrë.
34 Jezusi i tha atij: Me të vërtetë unë të them: Se këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do më mohosh tri herë.
35 Pjetri i tha atij: Edhe nëse unë të vdisja me ty, prapë nuk do të të mohoj ty. Po kështu thanë edhe të gjithë dishepujt.
36 Atëherë Jezusi erdhi bashkë me ta në një vend të quajtur Gethsimani, dhe u thotë dishepujve: Uluni këtu, ndërsa unë shkoj të lutem më tutje.
37 Dhe ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut, dhe filloi të hidhërohej dhe të rëndohej shumë.
38 Atëherë ai u thotë atyre: Shpirti im është jashtë mase i brengosur, edhe për vdekjen; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar bashkë me mua.
39 Dhe shkoi pak më tutje, dhe ra përmbys, dhe u lut, duke thënë: O Ati im, nëse është e mundur, le të hiqet kjo kupë prej meje; megjithatë jo si dua unë, por si të duash ti.
40 Dhe ai vjen te dishepujt, dhe i gjen ata në gjumë, dhe i thotë Pjetrit: Çfarë, a nuk mund të rrinit zgjuar me mua një orë?
41 Ruhuni dhe lutuni, që të mos hyni në tundim; fryma me të vërtetë është gati, por mishi është i dobët.
42 Ai u largua prapë për herë të dytë, dhe u lut, duke thënë: O Ati im, nëse nuk është e mundur që kjo kupë të hiqet prej meje, përveç që unë ta pi, u bëftë vullneti yt.
43 Dhe ai erdhi dhe i gjeti ata përsëri në gjumë; sepse sytë e tyre ishin të rënduar.
44 Dhe ai i la ata, dhe u largua përsëri, dhe u lut për herë të tretë, duke thënë të njëjtat fjalë.
45 Atëherë ai vjen te dishepujt e tij dhe u thotë atyre: Vazhdoni të flini tani, dhe çlodhuni; ja, ora është afër, dhe Biri i njeriut është tradhtuar në duart e mëkatarëve.
46 Çohuni, le të ikim; ja, ai që më tradhton mua është afër.
47 Dhe ndërsa ende po fliste, ja, Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe me të një turmë e madhe me shpata dhe shkopinj, prej kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit.
48 Tani, ai që e tradhtoi atë, u dha atyre një shenjë, duke thënë: Atë të cilin do të puth unë, ky është ai; kapeni atë.
49 Dhe ai menjëherë erdhi te Jezusi, dhe i tha: Përshëndetje, rabin; dhe e puthi atë.
50 Dhe Jezusi i tha atij: Mik, përse erdhe këtu? Atëherë erdhën ata, dhe e kapën Jezusin, dhe e morën.
51 Dhe, ja, një nga ata që ishte me Jezusin zgjati dorën, dhe nxori shpatën e tij, dhe goditi një shërbëtor të kryepriftit, dhe i preu veshin.
52 Atëherë Jezusi i tha atij: Vure prapë shpatën në vendin e vet; sepse të gjithë ata që marrin shpatën nga shpata do të humbasin.
53 A mendon ti se tani unë nuk mund t’i lutem Atit tim, dhe ai në çast të më japë mua më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
54 Por atëherë si do të përmbushen shkrimet, që kështu duhet të jetë?
55 Në të njëjtën orë Jezusi u tha turmave: A dolët ju si kundër një hajduti të më kapni mua me shpata dhe shkopinj? Unë ulesha me ju përditë në tempull duke dhënë mësim, dhe ju nuk më kapët.
56 Por e gjithë kjo u bë, që shkrimet e profetëve të mund të përmbushen. Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën, dhe ia mbathën.
57 Dhe ata që e kapën Jezusin e çuan atë te kryeprifti Kaifas, ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.
58 Por Pjetri e ndoqi atë nga larg deri te pallati i kryepriftit, dhe hyri brenda, dhe ndenji me shërbëtorët, për të parë fundin.
59 Tani kryepriftërinjtë, dhe pleqtë, dhe i gjithë këshilli, kërkuan dëshmi të rreme kundër Jezusit, që ta vrisnin atë.
60 Por nuk gjetën gjë; po, megjithëse erdhën shumë dëshmitarë të rremë, ata prapë nuk gjetën gjë. Në fund erdhën dy dëshmitarë të rremë,
61 Dhe thanë: Ky burrë thoshte: Unë jam i aftë ta shkatërroj tempullin e Perëndisë, dhe ta ndërtoj atë për tri ditë.
62 Dhe kryeprifti u çua dhe i tha: Ti nuk përgjigjesh fare? Ç’është ajo që këta dëshmojnë kundër teje?
63 Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti u përgjigj dhe i tha: Unë të vë në be prej Perëndisë së gjallë, që ti të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë.
64 Jezusi i thotë atij: Ti ke thënë; megjithatë unë ju them: Paskëtaj ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në krahun e djathtë të fuqisë, dhe duke ardhur në retë e qiellit.
65 Atëherë kryeprifti i grisi rrobat e tij, duke thënë: Ai ka thënë blasfemi; Pse kemi nevojë për dëshmitarë të tjerë? Ja, ju tani e keni dëgjuar blasfeminë e tij.
66 Çfarë mendoni ju? Ata u përgjigjën dhe thanë: Ai është fajtor për vdekje.
67 Atëherë ata e pështynë në fytyrën e tij, dhe dhe e goditën me grushta; dhe të tjerë e goditën me shuplaka,
68 Duke thënë: Na profetizo neve, ti Krisht, Kush është ai që të goditi ty?
69 Tani Pjetri rrinte jashtë në pallatin; dhe një zonjushë erdhi tek ai, duke thënë: Ti gjithashtu ishe me Jezusin e Galilesë.
70 Por ai e mohoi para të gjithë atyre, duke thënë: Unë nuk di se çfarë thua.
71 Dhe kur doli në hajat, një zonjushë tjetër e pa atë, dhe u tha atyre që ishin atje: Ky njeri ishte gjithashtu me Jezusin e Nazaretit.
72 Dhe përsëri ai e mohoi me betim: Unë nuk e njoh njeriun.
73 Dhe pas njëfarë kohe ata që qëndruan pranë erdhën tek ai, dhe i thanë Pjetrit: Me siguri ti je një nga ata; sepse e folura jote të tradhton.
74 Atëherë ai filloi të mallkojë dhe të betohet, duke thënë: Unë nuk e njoh njeriun. Dhe menjëherë këndoi gjeli.
75 Dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezusit, që i tha atij: Para se gjeli të këndojë, ti do të më mohosh tri herë. Dhe ai doli jashtë, dhe qau me hidhërim.