2 Sepse me atë gjykim që ju gjykoni, do të gjykoheni; dhe me çfarë mase matni, do t’ju matet edhe juve.
3 Po ti pse shikon grimcën që është në syrin e vëllait tënd, dhe nuk sheh trarin në syrin tënd?
4 Ose si do t’i thuash vëllait tënd, Lermë të të nxjerr grimcën nga syri; dhe, ja, një tra është në syrin tënd?
5 Ti hipokrit, së pari hiq trarin nga syri yt; dhe pastaj ti do shohësh qartë ta heqësh grimcën nga syri i vëllait tënd.
6 Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë, as mos hidhni margaritarët tuaj para derrave, që ata të mos i shkelin me këmbët e tyre, dhe të kthehen e t’ju copëtojnë.
7 Lypni, dhe do t’ju jepet; kërkoni, dhe do të gjeni; trokitni, dhe do t’ju hapet;
8 Sepse kushdo që lyp merr; dhe ai që kërkon gjen; dhe atij që troket do t’i hapet.
9 Ose cili është njeriu midis jush, që nëse biri i tij i lyp bukë, t’i japë një gur?
10 Ose nëse i lyp një peshk, t’i japë atij një gjarpër?
11 Atëherë nëse ju, duke qenë të këqij, dini si t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa shumë më tepër Ati juaj qiellor do t’u japë gjëra të mira atyre që i lypin atij?
12 Prandaj gjithçka që doni njerëzit t’ju bëjnë juve, kështu u bëni edhe atyre; sepse ky është ligji dhe profetët.
13 Hyni në portën e ngushtë; sepse e gjerë është dera, dhe e hapur është rruga, që çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë atje;
14 Sepse e ngushtë është porta, dhe e shtrënguar është rruga, që çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë atë.
15 Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë te ju me veshje deleje, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.
16 Ju do t’i njihni ata nga frutat e tyre. A mbledhin njerëzit rrush nga ferrat, ose fiq nga gjembaçët?
17 Kështu çdo pemë e mirë jep fruta të mira; por një pemë e kalbur jep fruta të këqija.
18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fruta të këqija, as një pemë e kalbur të japë fruta të mira.
19 Çdo pemë që nuk jep fruta të mira pritet, dhe hidhet në zjarr.
20 Prandaj nga frutat e tyre ju do t’i njihni ata.
21 Jo kushdo që më thotë: Zot, Zot, do të hyjë në mbretërinë e qiellit; por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell.
22 Shumë do më thonë në atë ditë: Zot, Zot, a nuk kemi profetizuar në emrin tënd? Dhe në emrin tënd kemi dëbuar djajtë? Dhe në emrin tënd kemi bërë shumë vepra të mrekullueshme?
23 Dhe atëherë unë do t’u rrëfej atyre: Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni prej meje, ju që bëni paudhësi.
24 Prandaj kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia, dhe i zbaton ato, unë do ta ngjasoj me një burrë të mençur, që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi një shkëmb;
25 Dhe ra shiu, erdhën përmbytje, frynë erërat, dhe u përplasën mbi atë shtëpi; dhe ajo nuk ra; sepse u themelua mbi një shkëmb.
26 Dhe çdokush që i dëgjon fjalët e mia, dhe nuk i zbaton ato, do të ngjasohet me një burrë budalla, që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë;
27 Dhe ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat, dhe u përplasën mbi atë shtëpi; dhe ajo ra; dhe rënia e saj ishte e madhe.
28 Dhe ndodhi që, kur Jezusi i kishte përfunduar këto fjalë, njerëzit u mahnitën me doktrinën e tij;
29 Sepse ai u mësoi atyre si një që ka autoritet, dhe jo si skribët.