1 Dhe ai hyri në një barkë, dhe kaloi matanë, dhe erdhi në qytetin e tij.
2 Dhe, ja, ata i sollën atij një burrë të paralizuar, të shtrirë në shtrat; dhe Jezusi duke parë besimin e tyre i tha atij të paralizuarit: Bir, gëzohu; qofshin falur mëkatet e tua.
3 Dhe, ja, disa nga skribët thanë me vete: Ky njeri blasfemon.
4 Dhe Jezusi duke i ditur mendimet e tyre, tha: Pse mendoni mbrapshtas në zemrat tuaja?
5 Sepse çfarë është më e lehtë, të thuash: Qofshin falur mëkatet e tua; ose të thuash: Çohu, dhe ec?
6 Por që ju të mund të dini se Biri i njeriut ka fuqi në tokë t’i falë mëkatet, (atëherë i thotë njeriut të paralizuar,) Çohu, merre shtratin tënd, dhe shko në shtëpinë tënde.
7 Dhe ai u çua, dhe shkoi në shtëpinë e tij.
8 Por kur turmat e panë këtë, ata u mrekulluan, dhe lavdëruan Perëndinë, që u kishte dhënë fuqi të tillë njerëzve.
9 Dhe ndërsa Jezusi u largua prej andej, ai pa një burrë, të quajtur Mateu, ulur në zyrën e taksave, dhe i tha: Ndiqmë. Dhe ai u ngrit dhe e ndoqi.
10 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi ishte ulur të hante në shtëpi, ja, shumë taksambledhës dhe mëkatarë erdhën dhe u ulën bashkë me të dhe dishepujt e tij.
11 Dhe kur farisenjtë e panë, u thanë dishepujve të tij: Pse ha Zoti juaj me taksambledhës dhe mëkatarë?
12 Por kur Jezusi e dëgjoi, ai u tha: Nuk kanë nevojë për mjek ata që janë të shëndoshë, por ata që janë të sëmurë.
13 Por shkoni dhe mësoni ç’kuptim ka: Unë dua mëshirë dhe jo flijim; sepse nuk kam ardhur për të thirrur të drejtët, por mëkatarët në pendim.
14 Atëherë erdhën tek ai dishepujt e Gjonit, duke thënë: Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, por dishepujt e tu nuk agjërojnë?
15 Dhe Jezusi u tha atyre: A mund të mbajnë zi bijtë e dhomës së nuses, për sa kohë që dhëndri është me ta? Por do të vijnë ditët, kur dhëndri do të hiqet nga ata, dhe atëherë do të agjërojnë.
16 Asnjë njeri nuk vë një copë të re pëlhure mbi rrobë të vjetër, sepse ajo që është vënë për ta mbuluar heq nga rroba, dhe grisja bëhet më keq.
17 As dhe njerëzit nuk hedhin verën e re në kacekë të vjetër; se ndryshe kacekët çahen, dhe vera derdhet, dhe kacekët humbasin; por ata e hedhin verën e re në kacekë të rinj, dhe kështu ruhen të dyja.
18 Ndërsa ai po u thoshte këto gjëra, ja, erdhi një kryetar, dhe e adhuroi atë, duke thënë: Bija ime tani është e vdekur; por eja dhe vendos dorën tënde mbi të, dhe ajo do të jetojë.
19 Dhe Jezusi u ngrit, dhe shkoi pas tij, dhe po kështu dishepujt e tij.
20 Dhe, ja, një grua, e cila ishte e sëmurë prej dymbëdhjetë vjetësh nga një rredhje gjaku, erdhi pas tij, dhe preku cepin e rrobës së tij;
21 Sepse ajo tha me vete: Nëse unë të paktën mund t’i prek rrobën atij, do të shërohem.
22 Por Jezusi u kthye, dhe kur e pa atë, ai tha: Bijë, gëzohu; besimi yt të ka shëruar. Dhe gruaja u shërua që nga ai çast.
23 Dhe kur Jezusi hyri në shtëpinë e kryetarit, dhe pa fyelltarët dhe njerëzit duke bërë zhurmë,
24 Ai u tha atyre: Hapuni; sepse vajza nuk ka vdekur, por fle. Dhe ata e tallën.
25 Por pasi njerëzit u nxorrën jashtë, ai hyri, dhe e kapi vajzën për dore, dhe vajza u ngrit.
26 Dhe fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.
27 Dhe kur Jezusi u largua prej andej, dy të verbër e ndoqën atë, duke bërtitur, dhe duke thënë: Ti Biri i Davidit, ki mëshirë për ne.
28 Dhe kur ai erdhi në shtëpi, të verbërit iu afruan; dhe Jezusi u tha atyre: A besoni ju se unë jam i aftë ta bëj këtë? Ata i thanë: Po, Zot.
29 Atëherë ai i preku sytë e tyre, duke thënë: U bëftë për ju sipas besimit tuaj.
30 Dhe sytë e tyre u hapën; dhe Jezusi i urdhëroi rreptësisht, duke thënë: Shikoni të mos e marrë vesh njeri.
31 Por ata, pasi u larguan, e përhapën famën e tij në gjithë atë vend.
32 Ndërsa dolën jashtë, ja, ata i sollën atij një memec të pushtuar nga një djall.
33 Dhe pasi djalli u flak jashtë, memeci foli; dhe turmat u mrekulluan, duke thënë: Nuk është parë kurrë kështu në Izrael.
34 Por farisenjtë thanë: Ai i flak jashtë djajtë nëpërmjet princit të djajve.
35 Dhe Jezusi shkoi nëpër gjithë qytetet dhe fshatrat, duke dhënë mësim në sinagogat e tyre, dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë mes njerëzve.
36 Por kur pa turmat, ai u prek nga dhembshuria për ta, sepse ishin të lodhur, dhe ishin shpërndarë gjithandej, si delet që s’kanë bari.
37 Atëherë ai u tha dishepujve të tij: Të korrat janë me të vërtetë të bollshme, por punëtorët janë pak.
38 Prandaj lutjuni Zotit të të korrave, që ai të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.