1 Prandaj ju lutem, vellezër, përmes mëshirave të Perëndisë, që ju t'i paraqitini trupat tuaj një sakrificë të gjallë, të shenjtë, të pranueshme për Perëndinë, që është shërbesa juaj e arsyeshme.
2 Dhe mos u konformoni me këtë botë; por shndërrohuni përmes ripërtëritjes së mendjes suaj, që ju të mund të provoni ç’është i miri, dhe i pranueshmi, dhe i përsosuri, vullnet i Perëndisë.
3 Sepse përmes hirit që më është dhënë, unë i them secilit që është midis jush, të mos ta mendojë vetveten më të lartë sesa duhet ta mendojë; por të mendojë me maturi, ashtu si Perëndia i ka dhënë secilit masën e besimit.
4 Sepse ashtu si kemi ne shumë gjymtyrë në një trup, dhe të gjithë gjymtyrët nuk kanë të njëjtin funksion;
5 Kështu ne, duke qenë shumë, jemi një trup në Krishtin, dhe çdonjëri gjymtyrë i njëri-tjetrit.
6 Pra, duke pasur dhunti që dallohen sipas hirit që na është dhënë, nëse është profeci, le të profetizojmë sipas masës së besimit;
7 Ose shërbesë, le të qëndrojmë në shërbesën tonë; ose ai që jep mësim, mbi mësimin;
8 Ose ai që nxit, mbi nxitjen; ai që jep, le ta bëjë atë me thjeshtësi; ai që drejton, me zell; ai që tregon mëshirë, me ngazëllim.
9 Le të jetë dashuria pa shtirje. Kini neveri për atë që është e keqe; ngjituni pas asaj që është e mirë.
10 Jini mirëdashës njëri me tjetrin me dashuri vëllazërore; duke parapëlqyer me nderim njëri-tjetrin;
11 Jo dembelë në punë; të zjarrtë në frymë; duke i shërbyer Zotit;
12 Duke gëzuar në shpresë; me durim në mundim; duke qëndruar çdo çast në lutje;
13 Duke shpërndarë për nevojën e shenjtorëve; të dhënë për mikpritje.
14 Bekojini ata që ju përndjekin; bekoni, dhe mos mallkoni.
15 Gëzoni me ata që gëzojnë, dhe vajtoni me ata që vajtojnë.
16 Jini në të njëjtën mendje njëri ndaj tjetrit. Mos mendoni për gjëra të larta, por uluni me njerëz të përulur. Mos u mbani të zgjuar në mendimet tuaja.
17 Mos ia shpërbleni ndonjë njeriu të keqen me të keqe. Siguroni punëra të ndershme në sytë e të gjithë njerëzve.
18 Nëse është e mundur, për aq sa varet nga ju, jetoni paqësisht me të gjithë njerëzit.
19 Shumë të dashur, mos u hakmerrni, por më mirë jepini vend zemërimit; sepse është shkruar: Hakmarrja është imja; unë do të shpaguaj, thotë Zoti.
20 Prandaj nëse armiku juaj është i uritur, ushqejeni atë; nëse është i etur, jepini të pijë, sepse duke bërë kështu ju grumbulloni thëngjij zjarri mbi kokën e tij.
21 Mos u mund nga e keqja, por mundeni të keqen me të mirën.