1 Dhe Pali duke parë me seriozitet këshillin, tha: Burra dhe vëllezër, unë kam jetuar me ndërgjegje të mirë para Perëndisë deri sot.
2 Dhe kryeprifti Ananias i urdhëroi ata që qëndronin pranë tij ta qëllonin në gojë.
3 Atëherë Pali i tha: Perëndia do të qëllojë ty, ti mur i zbardhur; dhe ti ulesh të më gjykosh mua sipas ligjit, dhe urdhëron që unë të goditem kundër ligjit?
4 Dhe ata që rrinin pranë thanë: Kryepriftin e Perëndisë shan ti?
5 Atëherë Pali tha: Unë nuk e dija, vëllezër, që ai ishte kryeprifti; sepse është shkruar: Ti nuk do të flasësh keq për kreun e popullit tënd.
6 Por kur Pali e kuptoi që një pjesë ishin saducenj, dhe të tjerët farisenj, ai thirri me zë të lartë në këshill: Burra dhe vëllezër, Unë jam një farise, biri i një fariseu; për shpresën dhe ringjalljen e të vdekurve jam gjykuar.
7 Dhe pasi ai kishte thënë kështu, nisi një grindje midis farisenjve dhe saducenjve; dhe turma u nda.
8 Sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë; por farisenjtë i rrëfejnë që të dyja.
9 Dhe u bë një zhurmë e madhe; dhe skribët që ishin nga ana e farisenjve u ngritën, dhe u grindën, duke thënë: Ne nuk gjejmë ndonjë të keqe te ky njeri; por nëse një frymë apo një engjëll i ka folur atij, le të mos luftojmë kundër Perëndisë.
10 Dhe pasi u bë një grindje e madhe, kryekomandanti, duke pasur frikë se mos copëtohej Pali prej tyre, urdhëroi ushtarët të zbrisnin, dhe ta merrnin me forcë atë prej midis tyre, dhe ta sillnin në kështjellë.
11 Dhe natën tjetër Zoti qëndronte pranë tij, dhe i tha: Ji i gëzuar, Pal; sepse ashtu siç dëshmove për mua në Jeruzalem, kështu duhet të japësh dëshmi edhe në Romë.
12 Dhe kur erdhi dita, disa prej judejve u bashkuan, dhe u lidhën me betim, duke thënë se as do hanë as do pinë derisa të kenë vrarë Palin.
13 Dhe ata që kishin bërë këtë komplot ishin më shumë se dyzetë.
14 Dhe ata erdhën te kryepriftërinjtë dhe pleqtë, dhe thanë: Ne jemi lidhur me një betim të madh, se ne nuk do të hamë ndonjë gjë derisa të kemi vrarë Palin.
15 Prandaj tani, ju bashkë me këshillin njoftoni kryekomandantin që ta zbresë atë nesër te ju, sikur ju do të hetonit diçka më saktë në lidhje me të; dhe ne, përpara se ai të afrohet, jemi gati ta vrasim.
16 Dhe kur djali i motrës së Palit dëgjoi për ata në pritë, ai shkoi dhe hyri në kështjellë, dhe i tha Palit.
17 Atëherë Pali thirri pranë një nga kryeqindësit, dhe i tha: Silleni këtë djalosh te kryekomandanti; sepse ka diçka për t’i thënë atij.
18 Ai pra e mori atë, dhe e solli te kryekomandanti, dhe tha: Pali i burgosuri më thirri pranë, dhe m’u lut që ta sillja këtë djalosh te ti, që ka diçka për të të thënë.
19 Atëherë kryekomandanti e mori atë për dore, dhe shkoi me të mënjanë vetëm, dhe e pyeti: Ç’është ajo që ke për të më thënë?
20 Dhe ai tha: Judejtë kanë rënë dakord të të kërkojnë ty ta zbresësh Palin nesër në këshill, sikur do të hetonin diçka më saktë për të.
21 Por mos iu bind atyre; sepse i bëjnë pritë atij më shumë se dyzetë burra nga ata, që janë lidhur me betim, që ata nuk do të hanë as do pinë derisa ta kenë vrarë atë; dhe tani janë gati, duke kërkuar një premtim prej teje.
22 Kështu pra kyrekomandanti e la djaloshin të ikte, dhe e urdhëroi: Kujdes të mos i tregosh ndonjë njeriu atë që më tregove mua.
23 Dhe ai thirri pranë dy kryeqindësit, duke thënë: Bëni gati dyqind ushtarë të shkojnë në Cezari, dhe shtatëdhjetë kalorës, dhe dyqind heshtëmbajtës, në orën e tretë të natës;
24 Dhe jepuni atyre kafshë, mbi të cilat mund të vendosin Palin, dhe çojeni të sigurtë te guvernatori Feliks. 25 Dhe ai shkroi një letër në këtë mënyrë:
26 Kladius Lysiasi i dërgon përshëndetje guvernatorit më të shkëlqyer Feliks.
27 Ky burrë u mor prej judejve, dhe do të vritej prej tyre; atëherë erdha unë me ushtri, dhe e shpëtova atë, pasi e kuptova se ishte romak.
28 Dhe pasi desha ta marrja vesh shkakun pse e akuzonin atë, unë e solla para këshillit të tyre;
29 I cili, kuptova unë, ishte akuzuar për çështje të ligjit të tyre, por s’kishte gjë në akuzën ndaj tij që meritonte vdekje ose pranga.
30 Dhe pasi m’u tha se si judejtë i bënë pritë burrit, unë menjëherë të dërgova ty, dhe u dhashë urdhër edhe akuzuesve të tij të tregonin para teje çfarë kishin kundër tij. Qofsh me shëndet.
31 Atëherë ushtarët, siç ishin urdhëruar, morën Palin, dhe e sollën natën në Antipatris.
32 Të nesërmen ata i lanë kalorësit të ikin me të, dhe u kthyen në kështjellë;
33 Të cilët, pasi erdhën në Cezari, dhe i dorëzuan letrën guvernatorit, paraqitën edhe Palin para tij.
34 Dhe pasi guvenatori e lexoi letrën, ai pyeti nga cila krahinë ishte. Dhe kur e kuptoi se ai ishte prej Kilikisë;
35 Unë do të të dëgjoj ty, tha ai, pasi të kenë ardhur edhe akuzuesit e tu. Dhe urdhëroi që ai të mbahej në sallën e gjyqit të Herodit.