1 Atëherë Agripa i tha Palit: Ti ke leje të flasësh për veten tënde. Atëherë Pali, shtriu dorën përpara, dhe u përgjigj për veten:
2 Mbreti Agripa, unë e gjykoj veten time të lumtur, sepse do të përgjigjem sot për veten time para teje në lidhje me të gjitha gjërat për të cilat unë jam akuzuar prej judejve;
3 Veçanërisht sepse unë e di që ti je një njohës i të gjitha zakoneve dhe pyetjeve që janë midis judejve; prandaj unë të lutem të më dëgjosh me durim.
4 Mënyra ime e jetës që nga rinia, që ishte fillimisht mes kombit tim në Jeruzalem, e njohin të gjithë judejtë;
5 Të cilët më njohën mua që nga fillimi, nëse do të dëshmonin, që sipas sektit më të drejtë të fesë sonë unë isha një farise.
6 Dhe tani unë qëndroj dhe gjykohem për shpresën e premtimit që iu bë nga Perëndia etërve tanë;
7 Premtim tek i cili shpresojnë të dymbëdhjetë fiset tona, duke i shërbyer Perëndisë pa pushim ditë e natë, se do të vijë. Për hir të kësaj shprese, mbreti Agripa, unë jam akuzuar prej judejve.
8 Pse të mendohet prej jush diçka e pabesueshme, që Perëndia t’i ngjallë të vdekurit?
9 Unë me të vërtetë mendova me veten, që duhet të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit të Nazaretit.
10 Të cilën gjë e bëra dhe në Jeruzalem; dhe pasi mora pushtet prej kryepriftërinjve, shumë prej shenjtorëve i futa në burg; dhe kur ata u vranë, unë votoja kundër atyre.
11 Dhe i ndëshkoja ata shpesh në çdo sinagogë, dhe i detyroja të blasfemojnë; dhe duke qenë jashtëzakonisht i inatosur me ta, i persekutoja edhe në qytetet e huaja.
12 Atëherë unë shkova në Damask me pushtet dhe porosi prej kryepriftërinjve,
13 Në mes të ditës, O mbret, unë rrugës pashë një dritë prej qiellit, më e fortë se ndriçimi i diellit, duke ndriçuar rreth e qark meje dhe atyre që udhëtonin me mua.
14 Dhe pasi ne të gjithë ramë përdhe, unë dëgjova një zë që më fliste mua, dhe po thoshte në gjuhën hebraishte: Saul, Saul, përse më persekuton? Ështe e ashpër për ty të godasësh me shkelm kundër gjëmbave.
15 Dhe unë thashë: Kush je ti, Zot? Dhe ai tha: Unë jam Jezusi të cilin ti e persekuton.
16 Por ngrihu, dhe qëndro mbi këmbët e tua; sepse unë të jam shfaqur ty për këtë qëllim, të të bëj ty një shërbyes dhe një dëshmitar si per këto gjëra që ti ke parë, edhe për ato gjëra në të cilat unë do të të shfaqem ty;
17 Duke të shpëtuar ty prej njerëzve, dhe prej paganëve, te të cilët unë tani po të dërgoj,
18 T’u hapësh sytë atyre, dhe t’i kthesh prej errësirës në dritë, dhe prej fuqisë së Satanit te Perëndia, që ata të mund të marrin falje për mëkatet, dhe trashëgimi midis atyre të cilët janë shenjtëruar prej besimit që është në mua.
19 Atëherë, O mbreti Agripa, unë nuk isha i pabindur ndaj vegimit qiellor;
20 Por fillimisht u tregova atyre në Damask, dhe në Jeruzalem, dhe nëpër gjithë krahinat e Judeas, dhe pastaj paganëve, që ata të pendohen dhe t’i kthehen Perëndisë, dhe të bëjnë vepra të përshtatshme për pendesën.
21 Për këto çështje judejtë më kapën në tempull, dhe orvatën të më vrisnin.
22 Prandaj duke marrë ndihmë nga Perëndia, unë vazhdoj deri më sot, duke u dëshmuar si të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke mos thënë gjëra të tjera përveç atyre që profetët dhe Moisiu thanë që duhet të ndodhnin;
23 Që Krishti do të vuante, dhe që ai do të ishte i pari që do të ngjallej prej së vdekurish, dhe do t’u tregonte dritë njerëzve, dhe paganëve.
24 Dhe ndërsa ai foli kështu për veten, Festusi tha me zë të lartë: Pali, ti nuk je në vete; shumë të mësuarit të ka bërë të çmendur.
25 Por ai tha: Unë nuk jam i çmendur, shumë fisniku Festus; por flas fjalë të së vërtetës dhe të maturisë.
26 Sepse mbreti di për këto gjëra, përpara të cilit unë gjithashtu flas lirisht; sepse jam i bindur që asnjë prej këtyre gjërave nuk është fshehur prej tij; sepse kjo gjë nuk u bë në një cep.
27 Mbreti Agripa, a i beson ti profetët? Unë e di që ti beson.
28 Atëherë Agripa i tha Palit: Ti për pak më bind mua të bëhem një i krishterë.
29 Dhe Pali tha: Unë i lutem Perëndisë, që jo vetëm ti, por edhe të gjithë që më dëgjojnë sot, ishin edhe pothuajse, dhe plotësisht siç jam unë, përveç këtyre prangave.
30 Dhe pasi kishte folur kështu, mbreti u ngrit, dhe guvernatori, dhe Bernika, edhe ata që qenë ulur me ta;
31 Dhe pasi kishin shkuar mënjanë, ata folën mes tyre, duke thënë: Ky njeri nuk bën ndonjë gjë që meriton vdekjen apo prangat.
32 Atëherë Agripa i tha Festusit: Ky njeri mund të ishte lënë i lirë, nëse nuk do t’i kishte bërë apel Cezarit.