1 Por një burrë i quajtur Ananias, me Safirën gruan e tij, shitën një pronë,
2 Dhe mbajtën pjesë të çmimit, gruaja e tij duke qënë në dijeni për këtë, dhe sollën një pjesë, dhe e vunë te këmbët e apostujve.
3 Por Pjetri tha: Ananias, pse ta ka mbushur Djalli zemrën të gënjesh Frymën e Shenjtë, dhe të mbash pjesë të çmimit të tokës?
4 Siç ishte, a nuk ishte e jotja? Dhe pasi u shit, a nuk ishte në pushtetin tënd? Pse e vure këtë gjë në zemrën tënde? Nuk gënjeve njerëz, por Perëndinë.
5 Dhe Ananias duke i dëgjuar këto fjalë ra për tokë, dhe dha shpirt; dhe u hyri frikë e madhe të gjithë atyre që i dëgjuan këto gjëra.
6 Dhe të rinjtë u ngritën, e mbështollën, e nxorën jashtë, dhe e varrosën.
7 Dhe ishte afërsisht pas tri orësh, kur hyri gruaja e tij, duke mos e ditur çfarë kishte ndodhur.
8 Dhe Pjetri iu përgjigj asaj: Më thuaj nëse ju e shitët tokën për kaq? Dhe ajo tha: Po, për kaq.
9 Atëherë Pjetri i tha asaj: Si mundët që ju së bashku ratë dakord të tundoni Frymën e Zotit? Ja, te dera janë këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd, dhe do të nxjerrin jashtë edhe ty.
10 Pra, përnjëherë ajo ra te këmbët e tij, dhe dha shpirt; dhe të rinjtë hynë, e gjetën të vdekur, e nxorën, dhe e varrosën pranë burrit të saj.
11 Dhe frikë e madhe i hyri gjithë kishës, dhe të gjithë atyre që i dëgjonin këto gjëra.
12 Dhe prej duarve të apostujve bëheshin shumë shenja dhe mrekulli midis njerëzve; (dhe ata të gjithë ishin me një zemër në portikun e Solomonit.
13 Dhe nga të tjerët nuk guxonte njeri të bashkohej me ta; por njerëzit i madhëronin.
14 Dhe besimtarë i shtoheshin më shumë Zotit, turma burrash dhe grash.)
15 Kaq shumë sa ata i nxorën nëpër rrugë të sëmurët, dhe i vunë në shtretër dhe shtresa, që të paktën hija e Pjetrit duke kaluar pranë mund të zinte disa prej tyre.
16 Gjithashtu erdhi një turmë njerëzish nga qytetet rreth Jeruzalemit, duke sjellur njerëz të sëmurë, dhe ata që ishin mërzitur me frymëra të papastra; dhe të gjithë shëroheshin.
17 Atëherë kryeprifti u ngrit, dhe të gjithë ata që ishin me të, (që është sekti i Saducenjve,) dhe ishin mbushur me indinjatë,
18 Dhe vunë duart e tyre mbi apostujt, dhe i futën në burgun publik.
19 Por engjëlli i Zotit natën hapi dyert e burgut, i nxori jashtë dhe u tha:
20 Shkoni, qëndroni dhe u flisni njerëzve në tempull të gjitha fjalët e kësaj jete.
21 Dhe kur e dëgjuan atë, ata hynë në tempull herët në mëngjes dhe dhanë mësim. Por erdhi kryeprifti, dhe ata që ishin me të, thirrën bashkë këshillin, dhe gjithë senatin e bijve të Izraelit, dhe i dërguan burgut që t’i sjellë.
22 Por kur erdhën shërbërtorët, dhe nuk i gjetën në burg, u kthyen dhe treguan,
23 Duke thënë: Burgun vërtetësisht e gjetëm të mbyllur me gjithë sigurinë, dhe ruajtësit duke qëndruar jashtë te dyert; por pasi i hapëm, nuk gjetëm njeri brenda.
24 Tani, kur kryeprifti, kapiteni i tempullit dhe krerët e priftërinjve i dëgjuan këto gjëra, dyshuan për to, deri ku do të zgjerohej kjo.
25 Atëherë erdhi njëri dhe u tregoi atyre, duke thënë: Ja, burrat që ju i futët në burg janë duke qëndruar në tempull, dhe po u jepnin mësim njerëzve.
26 Atëherë kapiteni bashkë me shërbëtorët shkuan në tempull, dhe i sollën pa dhunë; sepse kishin frikë nga njerëzit, se mos qëlloheshin me gurë.
27 Dhe pasi i kishin sjellur ata, i vunë përpara këshillit; dhe kryeprifti i pyeti,
28 Duke thënë: A nuk ju urdhëruam rreptësisht që ju të mos jepni mësim në këtë emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj, dhe, doni që të bini mbi ne gjakun e këtij njeriu.
29 Atëherë Pjetri dhe apostujt e tjerë u përgjigjën dhe thanë: Ne duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë se njerëzve.
30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezusin, të cilin ju e vratë dhe e varët në dru.
31 Atë e ka lartësuar Perëndia me dorën e tij të djathtë të jetë një Princ dhe një Shpëtimtar, që t’i japë pendim Izraelit, dhe falje të mëkateve.
32 Dhe ne jemi dëshmitarët e tij për këto gjëra; dhe kështu është edhe Fryma e Shenjtë, të cilin Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij.
33 Kur ata e dëgjuan atë, u lënduan në zemër, dhe diskutuan t’i vrisnin ata.
34 Atëherë u ngrit njëri në këshill, një Farise, i quajtur Gamaliel, një mësues i ligjit, me emër midis të gjithë njerëzve, dhe urdhëroi t’i nxirrnin jashtë apostujt për pak kohë;
35 Dhe u tha atyre: Ju burra të Izraelit, kujdesohuni për atë që ju synoni të bëni në lidhje me këta njerëz.
36 Sepse përpara këtyre ditëve u ngrit Teudas, duke u mburrur se ishte dikushi; tek i cili një numër burrash, rreth katërqind, u bashkuan; i cili u vra; dhe të gjithë ata që iu bindën atij, u shpërndanë dhe u bënë për asgjë.
37 Pas këtij njeriu u ngrit Juda i Galilesë në ditët e taksimeve, dhe tërhoqi shumë njerëz pas vetes; edhe ai vdiq; dhe të gjithë ata që iu bindën atij, u shpërndanë.
38 Dhe tani unë ju them: Larg prej këtyre njerëzve, dhe lërini vetëm; sepse nëse ky këshill ose kjo punë është prej njerëzve, do të asgjësohet;
39 Por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta përmbysni atë; sepse do të gjendeshit duke luftuar edhe me Perëndinë.
40 Dhe me atë ranë dakord; dhe pasi i thirrën apostujt, dhe i rrahën, i urdhëruan që të mos flasin në emër të Jezusit, dhe i lanë të shkonin.
41 Dhe ata u larguan nga prania e këshillit, duke gëzuar sepse u vlerësuan të denjë të fyhen për emrin e tij.
42 Dhe përditë në tempull, dhe në çdo shtëpi, nuk pushuan së dhëni mësim dhe së predikuari Jezu Krishtin.