1 Dhe Sauli ishte dakord me vdekjen e tij. Dhe në atë kohë pati përndekje të madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe ata të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe Samarisë, përveç apostujve.
2 Dhe njerëz të përkushtuar e çuan Stefanin në varrimin e tij dhe bënë vajtim të madh mbi të.
3 Sa për Saulin, ai i bëri shkatërrime kishës, duke shkuar në çdo shtëpi, dhe duke nxjerrë burra dhe gra, i fuste në burg.
4 Prandaj ata që u shpërndanë shkuan gjithandej duke predikuar fjalën.
5 Edhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë, dhe u predikonte atyre Krishtin.
6 Dhe njerëzit me një zemër u kushtonin me vëmendje atyre gjërave që Filipi thoshte, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që bënte.
7 Sepse frymërat e papastra, duke thërritur me zë të lartë, dilnin prej shumë vetash që ishin pushtuar prej tyre, dhe shumë të paralizuar e të çalë, u shëruan.
8 Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.
9 Por ishte dikush, i quajtur Simon, që më parë në të njëjtin qytet ushtronte magji, dhe i mahniste njerëzit e Samarisë, duke mburrur sikur të ishte një njeri i madh.
10 Të cilit të gjithë i kushtonin vëmendje, nga më i vogli deri te më i madhi, duke thënë: Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë.
11 Dhe atë e respektonin, sepse për një kohë të gjatë ai i kishte mahnitur me magji.
12 Por kur i besuan Filipit që predikonte gjëra në lidhje me mbretërinë e Perëndisë, dhe emrin e Jezu Krishtit, ata u pagëzuan, burra e gra.
13 Atëherë edhe vetë Simoni besoi; dhe pasi u pagëzua, ai vazhdoi me Filipin, dhe u befasua, duke parë mrekullitë dhe shenjat që u bënë.
14 Por, kur apostujt që ishin në Jeruzalem dëgjuan që Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, ata u dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin;
15 Të cilët, pasi zbritën, u lutën për ta, që të mund ta merrnin Frymën e Shenjtë;
16 (Sepse akoma ai nuk kishte rënë mbi ndonjërin prej tyre; vetëm ishin pagëzuar në emër të Jezu Krishtit.)
17 Atëherë i vunë duart mbi ta, dhe ata e morën Frymën e Shenjtë.
18 Dhe kur Simoni pa që përmes vënies së duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, ai u ofroi para atyre.
19 Duke thënë: Ma jep mua gjithashtu këtë fuqi, që mbi cilindo që të vë duart, ai të mund të marrë Frymën e Shenjtë.
20 Por Pjetri i tha: Le të humbasë pasuria jote bashkë me ty, sepse mendove që dhurata e Perëndisë mund të blihet me para.
21 Ti s’ke as pjesë as short në këtë çështje; sepse zemra jote nuk është e drejtë në sytë e Perëndisë.
22 Prandaj pendohu prej kësaj ligësisë sate, dhe lutju Perëndisë, mbase mendimi i zemrës sate të mund të të falet.
23 Sepse unë kuptoj që ti je në vrerin e hidhësisë, dhe në lidhje paudhësie.
24 Atëherë Simoni u përgjigj, dhe tha: Lutuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asnjë prej këtyre gjërave që thatë.
25 Dhe ata, pasi kishin dëshmuar dhe predikuar fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, dhe predikuan ungjillin në shumë fshatra të samaritanëve.
26 Dhe engjëlli i Zotit i foli Filipit duke i thënë: Çohu, dhe shko drejt jugut në rrugën që zbret nga Jeruzalemi në Gaza, që është shkretëtirë.
27 Dhe ai u çua dhe shkoi; dhe, ja, një burrë nga Etiopia, një eunuk me autoritet të madh nën mbretëreshën Kandes të etiopianëve, që kishte përgjegjësinë e gjithë thesarit të saj, dhe kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar,
28 Duke u kthyer, dhe i ulur në koçin e tij lexonte profetin Isaia.
29 Dhe Fryma i tha Filipit: Afrohu, dhe bashkohu me këtë koçi.
30 Dhe Filipi vrapoi tek ai, dhe e dëgjoi atë që lexonte profetin Isaia, dhe i tha: A i kupton ti ato që lexon?
31 Dhe ai tha: Si mund unë, veçse kur dikush të më mësojë? Dhe ai iu lut Filipit të hypte dhe të rrinte me të.
32 Vendi i shkrimit që ai lexoi ishte kjo: Ai u çua si një dele te kasapi; dhe si një qengj memec përpara qethësit të tij, kështu ai nuk e hapi gojën;
33 Në përuljen e tij u hoq dënimi i tij; dhe kush do të shpallte brezin e tij? Sepse jeta e tij hiqet prej tokës.
34 Dhe eunuku iu përgjigj Filipit, dhe i tha: Unë të lutem ty, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e tij, apo për ndonjë tjetër?
35 Atëherë Filipi hapi gojën dhe filloi tek ai shkrim, dhe i predikoi Jezusin.
36 Dhe ndërsa ata po largoheshin, erdhën te një ujë; dhe eunuku tha: Shiko, këtu ka ujë; çfarë më pengon mua të pagëzohem?
37 Dhe Filipi tha: Nëse ti beson me gjithë zemër, ti mundesh. Dhe ai u përgjigj dhe tha: Unë besoj që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.
38 Dhe ai urdhëroi që koçi të ndalte; dhe të dy zbritën në ujë, si Filipi edhe eunuku; dhe ai e pagëzoi atë.
39 Dhe kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin, dhe eunuku nuk e pa më atë; por vazhdoi në rrugën e tij plot gëzim.
40 Por Filipi u gjend në Azotus; dhe duke kaluar përmes ai predikoi në të gjithë qytetet, derisa erdhi në Cezarea.