“Tani veprat e mishit janë të shfaqura, që janë këto: Kurorëshkelja, kurvërimi…” - Galatasve 5:19 PJESA E PARË Te kishat, kohët e fundit, ne kemi predikuar mbi temën e mishit dhe të Frymës. Fjala “mishi” në këtë rast do të thotë “trupi i vdekshëm” që ne kemi në këtë botë. Problemi është që brenda këtij trupi ekzistojnë dëshirat dhe epshet për gjërat mëkatare. Prandaj, ne të krishterë jemi në luftë kundër dëshirave të poshtra që ngrihen brenda nesh. Nëse do të luftojmë, është mirë të kuptojmë se kush është armiku, si duket ai dhe ku është ai. Ka disa vargje në Letrën e Palit për kishën e galatasve ku ai na tregon qartë dhe hapur disa nga armiqtë më të fuqishëm kundër të cilëve po qëndrojmë. Mos harroni që këto gjëra luftojnë kundër Frymës së Perëndisë që të na sjellin nën fuqinë e tyre. Vargu i mësipërm thotë: “Tani veprat e mishit janë të shfaqura, që janë këto…”. Pali vazhdon të përmendë shtatëmbëdhjetë nga armiqtë kryesore që kemi. Sot, shpejt, do flasim për dy të parat. Në fillimin e listës ne shikojmë kurorëshkeljen dhe kurvërimin. Një mesazh i qartë nga Bibla është që marrëdhëniet seksuale nuk lejohen përveç midis një burri dhe një gruaje që janë nën besëlidhjen e martesës. Çdo gjë tjetër është mëkat! Mos u mashtroni me kulturën dhe zakonet e kësaj bote të prishur. Për arsye të mëkateve të tilla sëmundjet që transmetohen seksualisht janë shumë. Nuk ishte plani i Zotit që njerëzit të kenë partnerë të shumëfishtë. Ne do të vazhdojmë dhe nesër me këtë temë.
0 Comments
“Të bekuar janë ata që janë të përndjekur për hir të drejtësisë; sepse e tyre është mbretëria e qiellit.” - Mateu 5:10 Patjetër, kur Bibla flet këtu për drejtësinë, kuptimi është drejtësia e Perëndisë. Ajo e njerëzve është korruptuar. Nëse jetojmë në mënyrë të drejtë para Zotit, njerëzit rreth nesh do të fyhen. Ata do të çuditen se si ne nuk e shtrembërojmë pak drejtësinë për qëllimet vetë-shërbyese si ata. Ata do të çuditen se si nuk përdorim fjalë të pista si ata, dhe nuk duam t’i dëgjojmë bisedat e tyre të turpshme. Ata do të çuditen se si ne nuk dëshirojmë të shkojmë bashkë me ta në ato vende ku mëkatet kryhen hapur; vende ku lavdërohen ata që i shkelin urdhërimet e Perëndisë dhe ligjet e shtetit. Këta që me njërën anë të gojës përshëndesin Zotin, por nga ana tjetër e shajnë Atë, këta do të fillojnë të flasin keq për ne, dhe kur kanë mundësi, do të krijojnë çfarëdolloj problemi për ne nga inati. Besimtarët e krishterë të vërtetë kanë vuajtur shumë gjatë historisë së kishës. Në fakt, një historian thotë që historia e kishës baptiste mund të quhet “Udha e Gjakut”. Edhe për Biblën që sot po përkthejmë në gjuhën shqipe derdhej shumë gjak besimtar. Patjetër, unë flas për besimtarë të vërtetë që duke e përkthyer Biblën në anglisht i kundërshtuan dëshirat e kishës së rreme katolike. Nëse sot ju po vuani në ndonjë mënyrë për hatër të Krishtit, GËZOHUNI!!! sepse mbretëria e qiellit ju përket juve. Për pak, ne do të shkojmë te vendi ynë, por për tani, ne jetojmë si ambasadorë për Zotin në këtë botë. Le të vazhdojmë për lavdinë e Tij edhe kur jemi të përndjekur! Amin!
“Të bekuar janë paqebërësit; sepse ata do të quhen fëmijët e Perëndisë.” - Mateu 5:9 Të jetojmë në paqe mund të jetë një nga bekimet më të mëdha të jetës në këtë botë. Shumë nga etërit tanë luftonin dhe gjaku e tyre derdhej që ne të mund të shijojmë paqen që kemi sot. Paqja nuk është e lehtë të fitohet, ose ta ruajmë. Shumë popuj në botë kërkojnë paqe, por pyetja kryesore është: A dinë ata se si të jetojnë në paqe? A dimë ne se si të jetojmë në paqe? Te Proverbat 16:7, Bibla thotë: “Kur i pëlqejnë ZOTIT udhët e njeriut, ai bën që edhe armiqtë e tij të jenë në paqe me të.” Të kesh paqe në jetë, gjëja e parë është ta kënaqësh Zotin, ta zbatosh fjalën e Tij (Biblën), dhe pastaj Ai bën që edhe armiqtë e tu të jenë në paqe me ty. Lavdi Zotit! Perëndia është Autori i paqes! Kur ne jetojmë për Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e Tij, ne do të sillemi ndryshe ndaj armiqve tanë. Te Lluka 6:27-28, Jezusi vetë tha: “27…T’i doni armiqtë tuaj, dhe t’u bëni mirë atyre që ju urrejnë, 28Bekojini ata që ju mallkojnë, dhe lutuni për ata që ju përdorin juve me ligësi.” Është vështirë që ne të kemi armiq kur ia tregojmë dashurinë e Krishtit çdokujt. Le të jemi paqebërësit në Emër të Jezusit në këtë botë. Mos harroni që vetëm Jezusi dhe vepra e Tij te kryqi mund të krijojë paqe midis nesh dhe Perëndisë. Domethënë: Paqja midis nesh dhe Zotit është puna e Krishtit dhe ne e fitojmë këtë me anë të besimit tek Ai. Amin!
“Të bekuar janë zemërpastërtit; sepse ata do ta shikojnë Perëndinë.” - Mateu 5:8 Ne që e duam Perëndinë, duam patjetër ta shikojmë Atë dhe të kalojmë kohë në praninë e Tij. Ai është i Dashuri ynë, Miku ynë, Pjesa më e mirë e jetës sonë. Fatkeqësisht, ne nuk mund ta shikojmë Zotin me këta sy fizikë derisa të vijë Jezusi përsëri, ose derisa ne të shkojmë atje lart te shtëpia jonë e re. Atje, ne do të jetojmë përgjithmonë bashkë me Atë. Nëse dikush dëshiron të shkojë në parajsë, ai duhet të jetë zemërpastër. E vetmja mënyrë të pastrohemi nga mëkatet dhe të kemi një zemër të pastër para Zotit është të lahemi në Gjakun e Krishtit. Domethënë, të pranojmë Jezusin në zemrat tona dhe të besojmë plotësisht tek Ai dhe te flijimi që Ai bëri në kryq për ne të gjithë. Vetëm ata që janë zemërpastër përmes besimit te Jezusit do të shkojnë në parajsë. Megjithatë, unë besoj që ne mund ta shikojmë Jezusin në mënyrë indirekte këtu në botë, sepse Ai është Krijuesi i gjithçkaje. Ne mund të mësojmë shumë për një artist a një arkitekt thjesht duke parë punën e tij, sepse kryevepra e artistit u formua në mendjen e tij përpara se të bëhej realitet. Kjo është njësoj me Arkitektin e gjithësisë. Nëse duam të shikojmë Perëndinë, si fillim na duhet një zemër e pastër që ne të mund ta shohim krijimin e Tij me sy të pastër. Ata që veprojnë keq e shikojnë botën me sy të keq, dhe ata që bëjnë mirë e shikojnë botën me sy të pastër. Në fund, nëse duam ta shikojmë Zotin, le të lexojmë Librin e Tij (Biblën); le të shkojmë në shtëpinë e Tij (Kishën); le të flasim me Atë në lutje; le ta studiojmë krijimin e Tij, sepse krijimi i Tij konfirmon ekzistencën dhe fuqinë e Tij. Amin!
“Dhe Gideoni erdhi te Jordani, dhe kaloi matanë, ai dhe të treqind burrat që ishin me të, u lodhën, megjithatë i ndiqnin ata.” - Gjyqtarët 8:4 Ishte një kohë në Izrael kur nuk kishte mbret dhe çdo njeri bënte atë që ishte e drejtë në sytë e vetë. Populli filloi edhe të adhuronte perënditë e rreme. Patjetër, ishte periudhë e errët për kombin. Një vitë, kur erdhi stina për mbjellje në ato rajone, izraelitët mbollën farën e tyre. Kur armiqtë e tyre, midianët, e morën vesh, u inatosën dhe erdhën me gjithë ushtritë dhe deve pa numër, për të shkatërruar prodhimet e Izraelit. Populli hebre atëherë vuajti shumë nga varfëria. Zoti e pa këtë dhe ngriti një shpëtues me emër Gideon. Familja e tij ishte e varfër, dhe ai ishte një njeri pa emër. Perëndia e gjeti atë duke punuar në fshehtësi nga frika e midianitëve. Engjëlli i Zotit i tha atij: “…ZOTI është me ty, ti burrë i fuqishëm dhe trim.” Gideoni u zgjodh nga Perëndia për t’i shkatërruar armiqtë e Izraelit, dhe kështu ai bëri bashkë me vetëm treqind burra. Dy mbretër midianë ikën me vrap nga beteja, por Gideoni i ndoqi që t’i kapte. Në këtë pjesë të historisë, ne e gjejmë vargun e mësipërm. Shikojini përsëri ato fjalë: “…u lodhën, megjithatë i ndiqnin…”. Këto fjalë më prekën në zemër ndërsa po lexoja Shkrimet e Shenjta sot. Bibla thotë që ata u lodhën, por megjithatë vazhduan të luftonin. Nganjëherë edhe ne jemi të lodhur në punën e Zotit, dhe duam të dorëzohemi, ose ta heqim dorën nga Kisha, Bibla dhe Lutja. Le të jemi sot si Gideoni dhe burrat e tij që edhe pse u lodhën, prapë ata vazhduan në atë punë që ishte e domosdoshme për kombin, shtëpitë, fëmijët dhe shpirtrat e tyre. Amin! A jeni të lodhur? Vazhdojmë përpara!!!
“Të bekuar janë të mëshirshmit; sepse ata do të gjejnë mëshirë.” - Mateu 5:7 Ky është një varg i ëmbël, dhe na tregon mirësjelljen e bësimtarit të vërtetë që ne të gjithë duhet të kemi, nëse Fryma e Shenjtë është brenda nesh. Ky mund të përdoret edhe si akuzë. Ku e keni mëshirën tuaj? Pse nuk mund të duroni ndonjë keqtrajtim? Pse inatoseni kaq lehtë? Pse nuk mund t’i doni ata që ju lëndojnë? Unë jam i lumtur që ne nuk jemi në vend të Perëndisë, sepse ne nuk kuptojmë meçurinë e mëshirës Tij. Nëse dikush do të mëkatonte kundër nesh, ai do të shkonte direkt në ferr. Mëshira dhe durimi i Zotit nuk janë kështu. Mendoni tani për gabimet, mëkatet, padrejtësitë që ju keni kryer. Pa tjetër, shumica e atyre bëheshin në fshehtësi; domethënë, nuk u kapën me radarin e njerëzve, por çfarë mund të fshehim ne nga Zoti? Sytë e Tij janë në çdo vend. Tani, nëse Ai ka parë dhe e di qartë çdo gjë që ne kemi bërë, edhe ato kundër emrit të Tij, dhe prapëseprapë është kaq i mërshirshëm ndaj nesh, ne pastaj kuptojmë që mëshira e Tij është e mrekullueshme. Gjithashtu, mund të quhet mëshirë edhe kur Ai na i tregon mëkatet tona; domethënë kur Ai na qorton, sepse atëherë ne kuptojmë dëshirën e Tij që ne të bëjmë mirë. Mirësjellja është e shëndetshme në anën fizike dhe shpirtërore; në anën e përkohshmërisë dhe të përjetshmërisë. Ne mund të themi që edhe ligji i Tij është mëshira, edhe pse është kaq i rreptë, sepse ligji është si drita e Perëndisë që na ndriçon në errësirën e zemrës mëkatare dhe fillon të na e tregojë botën tjetër, dhe mirësinë e Zotit, dhe rrugët e Tij të shkëlqyera. Amin! Lavdi Zotit për mëshirën e Tij! Le të mësojmë prej Tij, dhe të jemi edhe ne të mëshirshëm.
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
September 2024
Kategoritë |