“A nuk bëri një faj Akani, biri i Zerahut në gjënë e mallkuar, dhe zemërimi ra mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe nuk vdiq vetëm ai njeri për ligësinë e tij.” - Jozueu 22:20 Në këtë varg Jozueu është duke e paralajmëruar popullin e Izraelit për shpagimet e mëkatit. Ai u kujtoi atyre diçka që ndodhi vite më përpara kur Jozueu dhe bijtë e Izraelit sapo kishin hyrë në tokën e premtuar. Në fillim, Zoti u dha atyre një fitore të mrekullueshme në betejën e Jerikos. Atje, ata kishin urdhër nga Zoti të mos preknin ndonjë gjë; domethënë, të shkatërronin çdo gjë. Një njeri që quhej Akan, pas betejës, në rrënojat e Jerikos, pa një rrobë babilonase të bukur, ca argjend dhe një copë flori. Ai i lakmoi këto, dhe duke mos iu bindur urdhërit të Perëndisë, i fshehu në tokë nën çadrën e tij. Pastaj, Izraeli shkoi në betejën e dytë, por atje u mposhtën. Tridhjetë e gjashtë burra izraelitë vdiqën. Jozueu u ankua para Perëndisë për këtë, dhe Perëndia i tha: “Çohu, pse shtrihesh ashtu përmbys? Izraeli ka mëkatuar…”. Kuptimi është: Mos qani! Çohu! Zgjidh problemin! Pastro mëkatin! Vini re që Zoti tha: “Izraeli ka mëkatuar.” Ne do të thoshim që nuk ishte gjithë Izraeli, por vetëm një njeri Akani që mëkatoi, por jo, padrejtësia hyri mes popullit, dhe prandaj ata të gjithë vuajtën për atë. Vargu i sipërm thotë që Akani nuk ishte i vetmi që vdiq për mëkatin e tij. Për shkak të këtij mëkati edhe familja e tij u shkatërrua. Mësimi për sot është: Le të mos mendojmë që vetëm ne, idividualisht, do të vuajmë për mëkatet që bëjmë. Jo! Jo! Jo! Ka edhe njerëz të tjerë që do të vuajnë për mëkatet tona. Le të largojmë çdo padrejtësi dhe mëkat prej nesh! Amin!
0 Comments
“Të bekuar janë ata që kanë uri dhe etje për drejtësi; sepse ata do të ngopen.” - Mateu 5:6 A jeni të uritur sot? A keni etje? Jo për ushqim fizik apo pije, por për drejtësinë e Zotit. Nëse po, ju jeni shumë të bekuar sepse Bibla thotë që ata që kanë këto dëshira të forta për Perëndinë, do të ngopen. Ne shpesh presim një fjalë ose një bekim nga Zoti dhe nuk e pranojmë atë. Pse? A mund të jetë për shkak se nuk kemi dëshirë për gjërat e Tij? A mund të jetë që jemi të ngopur me gjërat e botës dhe nuk kemi vend për Zotin, për kishën, për Biblën, për lutje? Zoti na ndihmoftë! Ne kemi dëshira të forta për këto gjëra të përkohshme dhe nuk vlerësojmë gjërat e përjetshme. Vini re që Perëndia ka shtuar këtu një premtim. Ata që kanë etje dhe uri për drejtësi do të ngopen. Nëse dikush e kërkon Perëndinë me gjithë zemër, Ai do të gjendet prej tij. Nëse dikush dëshiron të ecë në rrugët e Tij, Fryma e Shenjtë do t’ia hapë rrugën atij. Nganjëherë, kur vijmë në kishë, më duket si një shërbesë e fjetur, ose e thatë. Pse? Sepse ne duhet të vijmë me etje për Perëndinë, me uri për të dëgjuar Fjalën e Tij. Është mirë kur ne përgatitemi në shtëpi për shërbesën e kishës. Unë e di që provojmë të vishemi mirë, por unë flas për zemrën. Ndoshta, jemi të pastër nga jashtë, por nga brenda jemi të pistë, dhe të ngopur e të kënaqur me gjërat e botës. Zoti na ndihmoftë!
“Dhe çfarëdo që ju bëni, bëjeni atë me zemër, si për Zotin, dhe jo për njerëzit;” - Kolosianëve 3:23 Ky është një varg shumë i vlefshëm për çdo pjesë të jetës sonë. “…çfarëdo që ju bëni, bëjeni atë me zemër, si për Zotin, dhe jo për njerëzit…”. Unë shikoj këtu në fillim që Perëndia do që ne të bëjmë çdo gjë me zemër; që ne të jemi besnikë, të sinqertë, njerëz punëtorë. Ne duhet të jemi kështu në shkollë, në punë, në shtëpi, kudo që të jemi dhe në çfarëdo që bëjmë. Njerëzit e dinë që ne të gjithë shkojmë në kishë dhe që jemi të krishterë. Nëse ata pastaj na shikojnë duke u sjellur, ose duke jetuar në një mënyrë të turpshme, ne po u japim atyre mundësi ta blasfemojnë kishën dhe punën e Perëndisë. Le të bëjmë çdo gjë për lavdinë e Zotit, jo për njerëzit. Le të bëjmë mirë në shkollë, në punë, në shtëpi, në kishë, sepse ne jemi të krishterë. Ne punojmë mirë jo për t’i kënaqur njerëzit, sepse nganjëherë ata na acarojnë, por ne e bëjmë këtë për Perëndinë. Vargu që po mësojmë përmendsh në tetor është Proverbat 15:3, ku Bibla thotë: “Sytë e ZOTIT janë në çdo vend, duke vështruar të këqinj dhe të mirë.” Zoti na shikon edhe kur njerëzit nuk mundin. Le të bëjmë mirë, le të bëjmë çdo gjë me zemër që ta kënaqim Atë. Ne kemi një thënie në anglisht që thotë: “Çdo gjë që ia vlen të bëhet, ia vlen të bëhet mirë.” Ditën e mirë! Zoti ju bekoftë!
“Jezusi i thotë atij: Toma, për shkak se ti më ke parë mua, ti ke besuar; të bekuar janë ata që nuk kanë parë dhe prapë kanë besuar.” - Gjoni 20:29 Jezusi këtu po flet me dishepullin më dyshues. Jezusi u ringjall prej së vdekurish dhe pastaj iu shfaq dishepujve të Tij në një dhomë të mbyllur. Thomai (Toma) nuk ishte atje. Jezusi iku, dhe pastaj kur erdhi Thomai, dishepujt e tjerë me gëzim i thanë: “Ne kemi parë Zotin.” Thomai u tha: “Vetëm nëse unë shikoj…unë nuk do të besoj.” Jezusi u ringjall, por Thomai nuk besoi. Më pas Jezusi iu shfaq atij dhe Thomai besoi vetëm sepse e pa Jezusin të gjallë. Jezusi i tha atij: “…të bekuar janë ata që nuk kanë parë dhe prapë kanë besuar.” Këtu, unë mendoj që Jezusi flet për ne. Asnjë nga ne, nuk e kemi parë Jezusin fizikisht, por prapë ne i besojmë. Ne nuk e pamë Jezusin në kryq. Ne nuk e kemi parë Jezusin para ose pas ringjalljes së Tij, por prapë i besojmë. Jezusi tha që ne jemi të bekuar për shkak të besimit! Jezusi vlerëson faktin që ne besojmë edhe kur nuk e kemi parë Atë. Unë nuk e kam parë Jezusin me këta sy mishor, por mund të them që e kam parë Atë me sytë e zemrës, me sytë e besimit me ndihmën e Fjalës së Perëndisë dhe Frymës së Shenjtë. Lavdi Zotit që ne gjithashtu mund t’i shohim gjurmët e gishtave të Tij kudo, sepse bota është krijimi i Tij dhe ne jemi puna e dorës së Tij. Amin!
“Timoteut, birit tim në besim: Hiri, mëshira, dhe paqja, prej Perëndisë Atit tonë dhe Jezu Krishtit Zotit tonë.” - 1 Timoteut 1:2 Apostulli Pal ishte një njeri shumë i zgjuar, shumë besimtar, shumë i zënë në punën e Krishtit. Ai kishte një zemër dhe një vizion të madh për Zotin. Vargu i mësipërm është nga letra e Palit për Timoteun. Shikoni se sa ëmbël flet Apostulli me Timoteun. Ai e quajti atë biri i tij në besim. Kjo na e tregon marrëdhënien e mirë midis këtyre. Ky është për ne një mesazh i mirë, sepse nganjëherë njeriu humbet në punë, dhe nuk vlerëson ndonjë gjë dhe ndonjë njeri. Pali kishte një lidhje të ngrohtë me Timoteun, edhe pse Timoteu nuk ishte i familjes së tij. Ai ishte biri i Palit në besim. Mesazhi për sot është ky: Po! Jeta është e vështirë; puna, e lodhshme; shkolla, një barrë e rëndë; por ne duhet të mos t’i humbasim thesaret e jetës, që janë: njerëzit. Nëse Jezusi na vlerësoi kaq shumë sa që Ai e dha jetën për të na shpëtuar, edhe ne duhet të mbajmë të çmuar çdo njeri në botë. Ne duhet jo vetëm t’i vlerësojmë ata, por edhe të investojmë tek ata. Të investojmë si Pali që shkruante dy letra të mëdha për birin e tij në besim, sepse ai donte që Timoteu të vazhdonte në rrugët e Perëndisë, dhe të ishte i suksesshëm në punën e tij. Midis punëve, problemeve dhe aktiviteteve të jetës, le të mos harrojmë njëri-tjetrin, le të mos humbasim asnjë. Amin!
“Të bekuar janë zemërbutët; sepse ata do ta trashëgojnë tokën.” - Mateu 5:5 Kur ne vijmë te Perëndia, ne duhet të vijmë me përulësi. Ka diçka brenda njeriut që e do lavdinë për veten e tij. Ai nuk do që ta lavdërojë Zotin, dhe as ta pranojë faktin që fati i tij është në duart e Plotëfuqishmit. Në fakt, kur krahasohet me madhështinë e Zotit, çdo njeri është tepër i vogël dhe shumë i dobët. Pse të vijmë ne te Perëndia me krenari sikur Ai të ishte borxhli ndaj nesh? Vetëm me një kërcitje të gishtit Ai mund të na hedhë në ferr. Ne duhet të vijmë te Zoti me një mendje të shëndetshme dhe jo me mendjemadhësi. Ne duhet të vijmë para Tij me një zemër të butë dhe jo zemërgurë. Le të jemi zemërbutë edhe ndaj njëri-tjetrit. Ne nuk e dimë se çfarë vuajnë njerëz të tjerë. Ne nuk i dimë as vuajtjet brenda atyre të shtëpisë sonë. Është mirë të jemi zemërbutë dhe me mirëkuptim. Nganjëherë vetëm një fjalë e rreptë mund të ishte (si thënia në anglisht) “Kashta që theu kurrizin e devesë”. Nëse jemi zemërbutë ndaj Perëndisë dhe ndaj Fjalës së Tij, pa dyshim do të sillemi mirë me njëri-tjetrin, sepse kemi dashurinë e Zotit brenda nesh. Gjithashtu, ne kemi një premtim, te vargu i sipërm, Bibla thotë: “Të bekuar janë zemërbutët; sepse ata do ta trashëgojnë tokën.” Ne do të jemi pronarët dhe sunduesit mbi gjithë dheun bashkë me Jezusin, jo vetëm në këtë botë, por edhe në botën e re. Amin!
“Sytë e ZOTIT janë në çdo vend, duke vështruar të këqinj dhe të mirë.” - Proverbat 15:3 Amin! Perëndia nuk është si ne. Ai është kudo kurdoherë. Ai është me mua tani. Ai është edhe me ju. Ai shikon çdo gjë që bëjmë. Kjo është një nga të vërtetat e mëdha të Perëndisë. Vetëm Ai mund të jetë në çdo vend kurdoherë. Kjo karaktaristikë e Zotit quhet gjithëprania. Ai është i gjithëpranishëm. Unë nuk mund kuptoj këtë fuqi të Perëndisë. Nganjëherë, unë e kam të vështirë ta përqendroj vëmendjen te vetëm një punë, por edhe pse janë mbi 7 miliardë njerëz në botë, prapë Perëndia shikon gjithçka. Ai bën llogari për çdo person, për veprat e tyre, për fjalët e tyre, për mendimet e tyre. As satanai nuk e ka këtë fuqi. Ai nuk është i gjithëpranishëm. Ai është i kufizuar, dhe mund të jetë vetëm një vend kurdoherë. Prandaj ai ka ata demonët që quhen engjëjt e rrëzuar. Ata janë kudo në botë, secili në një vend të kufizuar, duke i tunduar njerëzit. Megjithatë, unë e lavdëroj Zotin, sepse nuk ka një qenie tjetër si Ai. Ka vetëm një Zot; vetëm një Perëndi. Ai është i mirë, i drejtë, i shenjtë, i dashur, i mëshirshëm. Unë jam i lumtur që ky Perëndi na shikon, dhe kujdeset për ne. Amin!
“Dhe shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet; por të jetë i dashur me të gjithë njerëzit, i gatshëm për të dhënë mësim, i durueshëm…” - 2 Timoteut 2:24 Apostulli Pal ishte në burg. Puna e tij për Perëndinë u krye. E mbaroi garën e tij. Ai luftoi mirë për hatrin e Ungjillit të Jezusit. Kur e lexojmë letrën e dytë të Palit për Timoteun, ne duhet të kuptojmë që këto janë fjalët e tij të fundit. Patjetër në këto shkrime ne shikojmë një besim të fortë te Perëndia. Ne kuptojmë që ai e donte shumë Jezusin. Ai donte që edhe Timoteu të jetë besnik ndaj Zotit. Gjithashtu, në këto shkrime, Pali tha që shumë e braktisën atë. Aleksandri e keqtrajtoi Palin. Demasi iku nga Pali për të shkuar në Selanik, sepse e donte botën më shumë se Jezusin. Disa kundërshtuan mësimet e Palit, disa i mësuan midis besimtarëve mësimet e rreme. Pali duhet të ishte shumë i inatosur. Ndoshta ishte kështu. Patjetër, bariu inatoset kur ujku hyn në tufën e tij. Pali prapë nuk e teproi në këtë gjë. Ai ishte i durueshëm. Edhe meqë shumë u larguan prej tij, ai i shkroi këto fjalë të bukura: “…shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet; por të jetë i dashur me të gjithë njerëzit, i gatshëm për të dhënë mësim, i durueshëm…”. Me të vërtetë, Pali ishte një guximtar për Zotin, por prapë, si Jezusi, ai ishte zemërbutë edhe ndaj atyre që e ketrajtuan. Te 2 Timoteut 4:16, Pali tha: “Në përgjigjen time të parë nuk qëndroi njeri me mua, por të gjithë më braktisën; unë i lutem Perëndisë që ai t’i mos fajësojë ata.” Kjo tingëllon si lutja e Jezusit në kryq: “Atë, fali ata sepse nuk e dinë se ç’bëjnë.” Amin!
“Prandaj ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, edhe i drejtë, edhe i mirë.” - Romakëve 7:12 Pardje, te kisha në Sarandë, ne predikuam për ligjin e Perëndisë. Nganjëherë, ligji duket si armik për ne. Ligji i Zotit është i shenjtë dhe i përsosur, dhe kur ne ta shikojmë veten tonë në pasqyrën e ligjit të Perëndisë, ne nuk do jemi të kënaqur me veten. Ne do të kuptojmë që nuk jemi të përsosur. Do kuptojmë që krenaria dhe mburrjet tona janë më kot. Nëse zgjohem nesër në mëngjes dhe shikoj veten në pasqyrë, dhe dukem i shëmtuar, nuk është faji i pasqyrës që jam kështu, është faji im. Unë vetë duhet të kujdesem për dukjen time; të qethem, të rruhem, të lahem, t’i laj dhëmbët, të krihem, të vishem me rroba të pastra; domethënë, ta mbaj veten me higjenë të mirë. Pasqyra nuk është armiku im, ajo thjesht më tregon të vërtetën. Ligji i Zotit nuk është armiku ynë, ai ne tregon se kush jemi, dhe si dukemi në sytë e Perëndisë. Kur Isaia, ai profeti i madh e pa veten në pasqyrën e Perëndisë, ai tha: “…I mjerë jam unë! Se jam i humbur…”. Kur Apostulli Pal e pa veten në këtë pasqyrë, ai tha: “Oh, njeri i mjerë që jam! kush do të më shpëtojë mua nga trupi i kësaj vdekjeje?” Nëse këta dy gjigantë për Perëndinë e panë veten kështu, po ne? A jemi ne më mirë se ata? Ligji është i mirë, i drejtë dhe i shenjtë. Mos kini frikë ta shikoni veten në pasqyrën e ligjit të Zotit. Amin!
“Tani, Fryma flet qartë, se në kohët e fundit disa do të largohen prej besimit, duke u kushtuar vëmendje frymërave joshëse, dhe doktrinave të djajve;” - 1 Timoteut 4:1 Unë, bashkë me shumë predikues të tjerë, besoj që ne jetojmë në ditët e fundit. Ne po i afrohemi kohës kur Jezusi do të vijë për kishën e Tij, dhe Ati do ta gjykojë botën. Do ketë shumë vuajtje në gjithë dheun. Një shenjë që na tregon qartë se jemi në ditët e fundit është fakti që Bibla thotë: “…në kohët e fundit disa do të largohen prej besimit…”. Ne shikojmë që njerëzit sot po largohen nga Perëndia. Nëse ne po i afrohemi Perëndisë, po ecim kundër trafikut të botës, kundër qëllimeve të tyre. Duket si një ofendim që dikush të flasë hapur për besimin e tij. Ata thonë që ideja e një fuqie më të lartë është shumë e vjetër, dhe nuk ka vend në qeverinë, në shkollat, as në mendjet tona. Për shembull, si është e mundur t’u mësojmë fëmijëve të vërtetat e shkencës pa u thënë atyre se Perëndia është Krijuesi i botës? Ja, Zoti, Krijuesi i botës nuk është i mirëpritur në shkollat tona. Themeli i sistemit është ndërtuar mbi padrejtësinë, dhe nëse themeli është i shtrembër, edhe godina do të jetë e shtrembër. Te Letra e Palit Romakëve 1:28, Bibla thotë: “Dhe meqë ata nuk pëlqenin ta ruanin Perëndinë në dijeninë e tyre, Perëndia i dorëzoi ata në një mendje të poshtër…”. Miqtë e mi, bëhuni gati! Jezusi po vjen! Amin!
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
October 2024
Kategoritë |