“Të bekuar janë ata që vajtojnë; sepse ata do të ngushëllohen.” - Mateu 5:4 Ndoshta këto fjalë tingëllojnë pak të çuditshme. Si mund të jenë të bekuar ata që vajtojnë? Ne themi të bekuar janë ata që festojnë çdo ditë dhe që janë të lumtur e të pasur. Kuptimi është: të bekuar janë ata që shprehin keqardhje të madhe për mëkatet e tyre. Të bekuar janë ata që nuk mund të durojnë mëkate. Nëse ne vijmë të përulur para Zotit duke kërkuar faljen e mëkatëve, Bibla thotë që Ai është i drejtë dhe besnik të na i falë mëkatet, dhe të na pastrojë nga çdo padrejtësi. Ai do të na shpëtojë! Sa i madh është ngushëllimi që gjejmë kur Perëndia na fal çdo mëkat. Mos harroni që edhe Fryma e Shenjtë quhet Ngushëlluesi ynë. Ne që vuajmë në këtë botë për hatrin e Krishtit kemi një ngushëllim të madh, që është Perëndia brenda nesh. Lavdi Zotit! Ai na qetëson shpirtin. Te Gjoni 16:33, Jezusi u tha dishepujve të Tij: “Këto gjëra unë jua kam thënë, që ju të keni paqe në mua. Në botë ju do të keni mundime, por gëzohuni; unë e kam mundur botën.” Pa dyshim, në këtë botë, ne do të kemi mundime, shtrëngime, halle, por përmes punës së Krishtit mbi kryqin, ne tashmë kemi dalë fitues. Nëse gjendeni sot në ndonjë brengë ose problem, shkoni te Perëndia në lutje; kërkoni udhëzim nga Fjala e Tij. Premtimi i Tij është që ata që vajtojnë do të gjejnë ngushëllim. Mos e refuzoni ngushëllimin e Perëndisë sot. Amin!
0 Comments
“Të bekuar janë të varfërit në frymë; sepse e tyre është mbretëria e qiellit.” - Mateu 5:3 Jezusi i pa turmat e njerëzve që po e ndiqnin, dhe Ai u ngjit në mal. Atje lart të gjithë mund ta shikonin. Atëherë u ul dhe filloi t’u predikonte atye një mesazh shumë të mirë e të bukur, madje edhe për ne sot. Ne e quajmë këtë mesazh: “The Sermon on the Mount”, në shqip: “PREDIKIMI MBI MALIN”. Fjalët e para të mesazhit gjenden te Mateu 5:3, ku Bibla thotë: “Të bekuar janë të varfërit në frymë; sepse e tyre është mbretëria e qiellit.” Jezusit flet këtu për “të varfrit në frymë”. Kush janë ata? Kushdo që të jenë, ne kuptojmë nga Fjalët e Jezusit që edhe pse janë të varfër, prapë janë shumë të bekuar. Pse? Sepse vargu thotë: “…e tyre është mbretëria e qiellit.” Atyre u përket Mbretëria e Perëndisë. Shtetësia e tyre është e Parajsës. Amin! Tani, vini re që Ai nuk flet për ata që janë të varfër në anën materiale, por për ata që janë të varfër në frymë, domethënë, në anën shpirtërore. Në këtë anë, ne të gjithë jemi lypsarë para Perëndisë. Një njeri mund të jetë i pasur në këtë botë, por prapë, shpirtërisht, është fukara. Ja, kuptimi është që njerëzimi është i varfër, madje i vdekur shpirtërisht, por ne mund të vijmë të përulur para Perëndisë si një lypsarë duke kërkuar thërrime nga tryeza e Tij. Nëse ne vijmë kështu te Zoti, përgjigjja e Tij është që Mbretëria e Qiellit është jona. Amin!
“Atëherë ai u përgjigj dhe më foli, duke thënë: Kjo është fjala e Perëndisë Zerubabelit, që thotë: Jo prej forcës, jo prej fuqisë, por prej frymës sime, thotë ZOTI i ushtrive.” Zakaria 4:6 Ne shikojmë në këtë varg se sa e rëndësishme është që ne t’i bindemi Frymës së Shenjtë, sepse është Ai (Fryma e Perëndisë) që na drejton. Është e lehtë të mbështetemi te fuqia jonë, por na duhet të mësojmë të mbështetemi te Fryma e Zotit. Puna e Perëndisë nuk bëhet me forcën tonë. Puna e Tij nuk ecën përpara me fuqinë e njeriut, por vetëm përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë. Patjetër, ne e kemi Biblën, dhe mund ta lexojmë, ta studiojmë dhe të japim mësime akademike, por pa ndihmën e Frymës së Perëndisë puna e Tij nuk bëhet në zemrat tona. Për shembull, te Gjoni 16:13, Bibla thotë: “Sidoqoftë, kur ai, Fryma e së vërtetës, të vijë, ai do t’ju udhëheqë në gjithë të vërtetën…”. Fryma e Shenjtë do të na drejtojë në çdo gjë, në çdo pjesë të jetës, në çdo pjesë të Biblës. Te 1 Korintasve 2:14, Bibla thotë: “Por njeriu i natyrshëm nuk merr gjërat e Frymës së Perëndisë; sepse ato për të janë budallallëqe; as nuk mund t’i dijë ato, sepse ato kuptohen shpirtërisht.” Gjithashtu, te Romakëve 8:6, Bibla thotë: “Sepse të jesh me mendje mishi është vdekje; por të jesh me mendje shpirtërore është jetë dhe paqe.” Le të ecim përpara sot me Biblën në dorë dhe Frymën e Shenjtë përbrenda, duke kërkuar në lutje udhëzimin e Tij.
“Jezusi iu përgjigj atyre: A besoni tani?” - Gjoni 16:31 Dishepujt e Jezusit sapo ishin mburrur për besimin e tyre tek Ai kur Jezusi i pyeti: A besoni tani? Për mua, kuptimi është që ka shumë më shumë për të besuar; ka shumë më shumë për të mësuar. A besoni tani? Mirë! Le të ecim më përpara dhe të shkojmë te një nivel më të lartë të besimit. Ndoshta ka njerëz që mendojnë që kanë arritur në majën e besimit. Patjetër, të shpëtohemi, neve na duhet një besim te Krishti sa një kokërr sinapi, domethënë, besimi minimal, sepse edhe besimi më i vogël mund ta shpëtojë mëkatarin më të madh, por le të mos vazhdojmë me një besim kaq të vogël te Zoti. Te Mateu 8:26, Jezusi u tha dishepujve: “Pse keni frikë, o ju besimpakë?” Frika është armiku i besimit. Nëse kemi frikë, kjo do të thotë që ka një nivel më të lartë të besimit tek i cili nuk kemi mbërritur. Patjetër, mund të them sot, me gjithë zemër: “PO! Unë besoj te Jezusi!”, por gjithashtu kuptoj që kam shumë për të mësuar. Ne duhet të rritemi në besim. Te Marku 9:24, babai me fëmijë të pushtuar nga një djall i tha Jezusit me lot: “Zot, unë besoj; ndihmoje mosbesimin tim.” Domethënë, me të vërtetë ai besoi te Jezusi, por prapë e kuptonte që kishte një dobësi të besimit brenda vetes. Amin! A besoni tani? Le të rritemi në besim, sepse te Letra e dytë e Palit Timoteut 1:7, Bibla thotë: “…Perëndia nuk na ka dhënë frymën e frikës, por të fuqisë, të dashurisë dhe të një mendjeje të shëndoshë.” Amin!
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
September 2023
Kategoritë |