“12I drejti do të lulëzojë si pema e palmës; ai do të rritet si një cedër në Liban. 13Ata që u mbollën në shtëpinë e ZOTIT do të lulëzojnë në oborret e Perëndisë sonë. 14Ata do të japin fryte edhe në pleqëri; ata do të jenë të majmë dhe të lulëzuar; 15Për të treguar se ZOTI është i drejtë; ai është shkëmbi im dhe nuk ka padrejtësi në atë.” - Psalmi 92:12-15 Po! Sot, ne kemi zgjedhur katër vargje nga Bibla. Këto të gjitha janë shumë inkurajuese. Këto na nxitin të jemi besimtarë të drejtë para Perëndisë. Këto na tërheqin në rrugët e Perëndisë. Shikoni frazën e parë: “I drejti do të lulëzojë…”. Tani, unë e di që drejtësia jonë vjen nga besimi te Jezusi, sepse te Romakëve 3:10, Bibla thotë: “…Nuk është ndonjë i drejtë…”. Si mund të jemi njerëz të drejtë nëse Bibla thotë që nuk ka ndonjë njeri të drejtë??? Shikoni një varg tjetër. Te Romakëve 5:1, Bibla thotë: “Prandaj duke qenë të shfajësuar prej besimit, ne kemi paqe me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht…”. Ne jemi të shfajësuar, të justifikuar para Perëndisë përmes besimi te Biri i Tij, Jezusi. Si mund të jetë kështu??? Sepse me Gjakun e Tij që u derdh në kryq, Jezusi i shleu mëkatet tona. Tani, mund të themi që ne jemi larë në Gjakun e Shenjtë dhe jemi të drejtë në sytë e Perëndisë, sepse kur Ai na shikon, ai shikon Gjakun e Birit të Tij të dashur. Pra, me këto në mendje, le të shikojmë edhe një herë frazën e parë te vargje të mësipërme. Bibla thotë: “I drejti do të lulëzojë…”. Ne, bashkë me Jezusin do të lulëzojmë!!! Domethënë: Me Jezusin brenda nesh dhe ne brenda Tij, ne do të lulëzojmë! Lexojini edhe një herë vargjet e mësipërme dhe shikoni bekimet e Perëndisë që janë të sigurta për ju në jetë edhe në përjetësi. Lavdi Zotit!!! Jezusi është shkëmbi ynë!
1 Comment
“Sepse ti, ZOT, përmes veprës sate, më ke gëzuar mua; unë do të ngazëllohem në veprat e duarve të tua.” - Psalmi 92:4 Unë dua ta lavdëroj Perëndinë për punën e Tij, për veprat e Tij, për atë që Ai ka bërë në jetën time edhe në jetët tuaja! Me të vërtetë, Ai ka qenë shumë i mirë me ne të gjithë. Lavdi Zotit! Rrini afër Perëndisë edhe në kohë të vështira, sepse duke parë bëmat e Tij, ju do të ngazëlloheni. Kur ne jetojmë duke i shërbyer Zotit, jeta është më e ëmbël, dhe puna që Ai bën te ne, është e mrekullueshme. Nuk ka një punë tjetër si puna e Zotit. Ato janë vepra të pastra, të mira, të shenjta, të vërteta dhe të përjetshme. Ato sjellin gëzim, paqe, shpresë, dashuri, shpëtim, bekime edhe shumë gjëra të tjera te çdo njeri që beson. Po! Rrini afër Perëndisë, sepse zemra juaj ka nevojë për gëzim. Unë bashkë me disa nga ju i kemi shërbyer Perëndisë për shumë vite tani. Pa tjetër, çdo njëri nga ne ka kaluar shumë ditë të vështira, dhe jam i bindur që do të ketë edhe më shumë ditë të tilla, por duke parë veprat e Perëndisë këtu dhe paqen që Ai na ka dhënë, ne jemi mbushur plot gëzim. Mos harroni që gëzimi i vërtetë gjendet vetëm te Jezusi! Amin!
“Dhe kur ata filluan të këndonin dhe të lavdëronin, ZOTI ngriti prita ndaj bijve të Amonit, të Moabit dhe të Malit Seir, të cilët erdhën kundër Judës; dhe ata u shkatërruan.” - 2 Kronikave 20:22 Fokusi i besimtarit duhet të jetë gjithmonë te Perëndia. Përqendrimi i mendjes dhe i zemrës të të krishterëve duhet të jetë te Jezusi dhe fuqia e Tij. Në vargun e sipërm, shikoni se çfarë mund të ndodhë kur njerëzit e Perëndisë e lavdëruan Atë. Armiqtë erdhën për luftë. Bijtë e Amonit, të Moabit dhe të Malit Seir deshën ta asgjësonin Judën, por në një varg tjetër, Perëndia u tha njerëzve të Judas: “Ju nuk keni nevojë të luftoni në këtë betejë…”. Pse? Sepse Zoti do të luftonte për hatrin e tyre. Pa dyshim, ata kishin në dispozicion mjetet e luftës: shpata, pazmore, harqe, shigjeta, etj.. Ata kishin edhe luftëtarë; ushtarë të patrembur, por kjo betejë nuk do të fitohet me këto gjëra. Kjo fitohet vetëm përmes besimit te Zoti. Pra, çfarë bënë ata? Ata filluan ta lavdëronin Perëndinë, dhe në atë moment Zoti nisi sulme kundër armiqve të tyre, dhe i shkatërroi. Mos harroni që betejat shpirtërore nuk fithohen me forcë fizike. Ato fitohen me lutje, me këngë lavdërimi dhe me predikimin e Biblës. Le të përpiqemi ta mbajmë fokusin te Zoti ynë, sepse vetëm Ai e di se si ne mund të dalim të fituar në çdo betejë të jetës. Kur të lindë dielli nesër unë dua të gjendem duke lavdëruar Zotin, edhe pasnesër, edhe kështu me radhë. Amin!
“Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, jini të palëkundur, të patundur, rritni gjithmonë punën e Zotit, meqë ju e dini se puna juaj nuk është më kot në Zotin.” - 1 Korintasve 15:58 Puna e Perëndisë nuk është vetëm për pastorin. Pa tjetër, ai është kujdestari i kishës, por puna e Perëndisë është për çdo besimtar, për çdo njeri që ka pjesë në familjen e Zotit. Le të rritemi së bashku në punën e Zotit; domethënë, me besnikëri në shërbesat e kishës, në lutjet, në dhurimet, në studimin e Biblës, duke qenë një dëshmues i mirë i Ungjillit, duke dhënë mësime Biblike. Ne të gjithë jemi shërbëtorë të Zotit, dhe është detyra jonë të punojmë për Atë. Gjithashtu, vargu thotë: “…jini të palëkundur, të patundur…”. Pse? Pse e kemi këtë inkurajim nga Fryma e Zotit? Sepse Ai e di që në jetë problemet do vijnë, stuhitë do vijnë, sprovat do vijnë, tundimet do vijnë. Epshet tona do të shfaqen kur besimi ynë është i dobët, por ne duhet të jemi këmbëngulës në pozicionin tonë në Krishtin. Mos harroni që vargu thotë: “…ju e dini se puna juaj nuk është më kot në Zotin…”. Puna që bëjmë për Zotin nuk është më kot. Domethënë, ajo do të jetë e frytshme, do të na sjellë shumë fitime gjatë jetës në botë edhe në përjetësi. Amin!
“Sepse kështu Perëndia e deshi botën, që ai dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” - Gjoni 3:16 Në vargun e sipërm, ne shikojmë tri qënie. Ne shikojmë Perëndinë, Birin e Tij edhe njerëzimin. Vargu thotë: “…Perëndia…Birin…kushdo që beson…”. Ne e shikojmë Zotin që është më i Larti, edhe ne që jemi mëkatarë poshtë, por (Lavdi Zotit!) është Njëri midis Perëndisë dhe nesh. Kush është Ai? JEZUSI!!! Jezusi është Ndërmjetësuesi ynë tek Ati qiellor. Te 2 Timoteut, Bibla thotë: “…është një Perëndi, dhe një ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jezu Krisht…”. Jezu Krishti, kur Ai u vu në kryq për të vuajtur dhe për të vdekur për mëkatet e njerëzve, Ai u ngrit nga toka në dru. Dhe atje, midis botës dhe qiellit, Ai u bë Sakrifica për çdo njeri që do ta pranojë Atë. Ai shleu inatin edhe dënimin e Perëndisë kundër njerëzimit, dhe na solli mëshirën. Tani, falja dhe jeta e përjetshme janë një dhuratë nga Zoti për ata që besojnë; një dhuratë që e kemi vetëm përmes Jezusit, kur e pranojmë Atë në zemrën tonë. Lavdi Zotit! Pra, kemi Zotin lart, Jezusin në mes, edhe ne poshtë. Jezusi është Ndërmjetësuesi ynë që na sjell bekimet e Perëndisë, që na pastron nga mëkatet, që na bashkon, që na pajton me Zotin lart. Tani, jemi një. Jezusi në Atin, dhe ne në Jezusin. Lavdi qoftë Emrit të Tij!
“Këndojini lavde Perëndisë, këndojini lavde; këndojini lavde Mbretit tonë, këndojini lavde.” - Psalmi 47:6 Është e qartë nga ky varg që Perëndia dëshiron t’i dëgjojë lavdërimet nga ne. Atje në parajsë, sipas Biblës, janë shumë që e lavdërojnë Zotin pa pushim. Pse? Sepse Ai meriton lavdërime për gjithçka që Ai ka bërë. Por, gjithashtu, Ai dëshiron të dëgjojë edhe zërin tonë këtu në botë duke kënduar lavdërimet e Tij. Në vargun e sipërm, katër herë ne shikojmë këtë shprehje: “këndojini lavde”. Katër herë!!! Çdo i krishterë duhet të ketë një këngë për Perëndinë. Ne e kemi këtë si urdhër, jo si sugjerim. Prandaj në çdo shërbesë të kishës ne përdorim këngë për ta lavdëruar Atë. Ndoshta dikush do të thoshte: “Jam pak i paqejf sot. Jam i lodhur. Nuk dua të këndoj.” S'ka rëndësi nëse jeni të paqejf apo jo, prapë Zoti meriton lavde! Le të këndojmë për lavdinë e Tij. Ne nuk jemi në ferr! Ne nuk jemi në burg! Nëse e keni pranuar Jezusin, ju jeni të lirë; jeni të shpëtuar! Lavdi Zotit! Tani, unë kam në mendje atë histori Biblike kur Pali dhe Silasi ishin në burg. Pse ishin atje? Për shkak se vazhduan ta predikonin Ungjillin kundër ligjit. Çfarë bënë ata në burg? A ishin duke iu ankuar Perëndisë për problemet e tyre? JO! JO! JO! Lexoni se çfarë ndodhi atje në burg. Te Veprat 16:25-26, Bibla thotë: “25Dhe në mesnatë Pali dhe Silasi u lutën, dhe i kënduan lavdërime Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjuan ata. 26Dhe befas ndodhi një tërmet i madh, kështu që themelet e burgut u lëkundën; dhe menjëherë dyert u hapën, dhe zinxhirë e çdonjërit u zgjidhën.” Dyert u hapën thotë Bibla!!! Le ta vazhdojmë të lavdërojmë Perëndinë edhe në mes të stuhive të jetës, sepse është Zoti që ka fuqi mbi të gjithë! Amin! Lavdi Perëndisë!
“Le të shpresojë Izraeli te ZOTI që tani e përjetësisht.” - Psalmi 131:3 Le të shpresojmë te Zoti! Në vargun e sipërm, ne gjejmë emrin “Izraeli”. Kush janë ata? Në Bibël, ata janë populli që Perëndia zgjodhi të jenë njerëzit e Tij. Ai fliste me ta. Ai ua dha atyre urdhërimet e Tij. Ai i bekonte ata. Kur ata ishin në vështirësi, Ai i ndihmonte dhe i shpëtonte ata. Tani, domethënë sot, edhe ne jemi njerëzit e Zotit, sepse përmes besimit te Gjaku i Jezusit ne jemi lindur në familjen e Perëndisë. Ne jemi birësuar dhe kemi pjesë në trashëgiminë e Zotit! Lavdi Emrit të Tij! Le të shpresojmë tek Ai sot, tek Ai që nuk do të na zhgënjejë. Nëse Ai e dha jetën e Tij në kryq për ne, imagjinoni se sa gjëra të mëdha do të bëjë Ai për ne sot, nesër, përgjithmonë; imagjinoni se sa e madhe është dashuria e Tij për ne! Lavdi Zotit! Ne mund të shpresojmë, të besojmë dhe të mbështetemi plotësisht tek Ai. Te kush keni shpresë sot? Nëse është te Perëndia, ju do të jeni të sigurtë edhe në mes të stuhive më të mëdha të jetës. Shpresoni tek Ai sot! Amin!
“…ai na ka bërë të pranuar në të dashurin…” - Efesianëve 1:6 Lavdi Zotit! Ne jemi të pranuar para Perëndisë! Unë lexova pak sot nga një shkrues tjetër, dhe ai e përmendi këtë varg. Ai tha që edhe kur ne ndjehemi që nuk meritojmë gjë nga Perëndia, prapë jemi të pranuar. Ai tha që ka ditë kur jemi pak të paqejf, të trishtuar, ose të sëmurë, por edhe në ato ditë jemi të pranuar. Ka ditë kur ndjehemi shumë mirë dhe jemi gëzimplotë, edhe në ato ditë jemi të pranuar para Perëndisë. Si mund të jetë kështu? Sepse Perëndia nuk ndryshon. Ai është njësoj dje, sot dhe përgjithmonë. Prandaj pozicioni ynë në shpëtimin e Tij është i sigurtë, i pandryshueshëm, i palëkundshëm. Shikoni edhe njëherë vargun: “…ai na ka bërë të pranuar në të dashurin…”. Kush është Ky i Dashuri që na bëri të pranueshëm para Perëndisë? Është Jezusi! Shikoni se sa e sigurtë ishte puna e Tij në kryq për ne. Ne jemi të pranuar sot dhe përjetë! Lavdi Zotit! Tani, nëse ne do të kishim kontroll mbi shpëtimin tonë, pa dyshim, ne do ta humbasim atë, por meqë është Zoti që na mban, jemi të sigurtë. Le të çlodhemi në Zotin sot, le të gëzohemi në Të, sepse sido që të ndodhë jemi të pranuar. Lavdi Zotit
“Dhe ai më tha: Hiri im të mjafton, sepse forca ime bëhet e përsosur në dobësi. Prandaj me gëzim të madh unë do të mburrem në dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të mund të mbetet mbi mua.” - 2 Korintasve 12:9 Dobësia. Ne të gjithë kemi përvoja me atë. Disa i fshehin më mirë dobësitë e tyre, por le ta dimë me siguri që çdo njeri ka një luftë me dobësi brenda tij. Nëse jemi krenar para Perëndisë dhe nuk e pranojmë faktin që kemi nevojë për ndihmën e Tij, Ai do të fillojë të heqë nga ne çdo mbështetje që kemi në botë derisa ne ta pranojmë ndihmën e Tij, dhe të mbështetemi vetëm tek Ai. Apostulli Pal ishte duke iu ankuar Perëndisë, sepse ishte lutur shumë që Zoti t’i hiqte ato dobësitë që ishin brenda apostullit. Vargu i sipërm është përgjigjja e Perëndisë për këtë ankesë. Ai i tha Palit: “Hiri im të mjafton, sepse forca ime bëhet e përsosur në dobësi.” Perëndia nuk ia hoqi dobësitë Palit, por Ai i dha hir; hir për ta ndihmuar atë. Perëndia ka hir edhe për ne. Ne këndojmë një këngë në kishë që thotë “…Kur jam i dobët më forcon…”, edhe kënga e fëmijëve thotë: “…Dhe të vegjlit janë të Tij; Janë të dobët, Krishti i fortë…”. Sa e mrekullueshme është që Perëndia na forcon! Nëse është kështu, le të jemi njësoj si Pali dhe të mburremi në dobësitë tona, sepse pikërisht në atë moment Perëndia na forcon. Amen!
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
September 2024
Kategoritë |