“Mos e lakmo shtëpinë e fqinjit tënd, mos e lakmo gruan e fqinjit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as kaun e tij, as gomarin e tij as ndonjë gjë që është e fqinjit tënd.” - Eksodi 20:17 URDHËRIMI I DHJETË Këtu, te vargu 17, ne gjejmë urdhërimin e fundit. MOS LAKMO! Edhe meqë është i fundit në listë, është fillimi i shumë gabimeve. Këtu shikojmë mëkatin që nga rrënja e tij. Çdo mëkat fillon në zemrën e njeriut. Shikoni pak fjalët e Jezusit, te Marku 7:20-23, Ai tha: “20…Ajo që del nga njeriu, ajo e fëlliq atë. 21Sepse nga brenda, nga zemra e njerëzve, dalin mendime të këqija, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, 22Vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimi, ndyrësitë, syri i keq, blasfemia, krenaria, budallallëku; 23Të gjitha këto gjëra të këqija vijnë nga brenda, dhe e ndotin njeriun.” Për shembull, ne e dimë, që pa dyshim është mëkat ta vjedhim dikë, por mëkat është edhe ta hamë me sy; të kemi zili për atë. Nëse i shikojmë me kujdes këto urdhërimet e Perëndisë, do kuptojmë që urdhërimet 6, 7 dhe 8 (Mos vrit, Mos shkel kurorën bashkëshortore, Mos vidh), këto janë mëkate nga vepra; urdhërimi 9 (Mos bëj dëshmi të rreme ndaj fqinjit tënd), është mëkat nga goja; dhe urdhërimi 10 (Mos lakmo) është mëkat nga mendja. Mëkati nuk është vetëm një vepër që bëjmë, ose një fjalë që themi, është edhe një mendim i keq. Pse është kaq e ligë në sytë e Perëndisë, të kemi lakmi? Pa tjetër, lakmia është fara e vjedhjes dhe vrasjes, por kur ne i lakmojmë ato që ka fqinji, ne harrojmë bekimet që Perëndia na ka dhënë neve, dhe nuk jemi më mirënjohës ndaj Zotit. Te 1 Selanikasve 5:18, Bibla thotë: “Në çdo gjë jepni falënderime; sepse ky është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.”. Le ta zëvendësojmë një zemër lakmitare me një zemër falënderuese ndaj Zotit! Amin!
0 Comments
“Mos bëj dëshmi të rreme ndaj fqinjit tënd.” Eksodi 20:16 URDHËRIMI I NËNTË Unë besoj që kuptimi i këtij vargu është i qartë. Kudo që të jemi, në shtëpi, në treg, në gjyq, në rrugë, gjithmonë, le të flasim të vërtetën. Ka plot njerëz që tërë ditën merren me thashetheme dhe gënjeshtra. Babai im më thoshte: “Nëse nuk ke diçka të mirë për të thënë, mos fol fare.” Ka raste që edhe kur diçka është e vërtetë, por prapë nuk duhet të thuhet. Me thashetheme, ne cënojmë karakterin e të tjerëve më kot. “Shih punën tënde!” Nëse nuk doni që njerëzit të flasin prapa kurrizit tuaj, mos flisni prapa atyre. Bëni ndaj të tjerëve ashtu siç do të donit që ata të bënin ndaj jush. Kur dikush flet keq para meje për dikë tjetër, në atë moment kuptoj që do të flasë keq edhe për mua. Tani, Bibla thotë që Perëndia është e vërtetë. Te Gjoni 14:6, Jezusi tha: “Unë jam rruga, e vërteta, dhe jeta…”. Nëse Perëndia është e vërtetë dhe ne jemi besimtarët e Tij, edhe ne duhet të flasim të vërtetën. Vargu thotë: “Mos bëj dëshmi të rreme ndaj fqinjit tënd.” Kështu bënte bota me Jezusin. Shumë herë guvernatori romak tha për Jezusin: “Unë nuk gjej fare gabim tek ai…”, por prapë judejtë e akuzuan me dëshmi të rreme derisa Pilati dha urdhër që Jezusi të kryqëzohej. Le të jemi njerëz besnikë edhe kur dikush na gënjen. Le të të flasim të vërtetën edhe kur bota nuk e do. Le të flasim gjërat e mira të Perëndisë edhe në mes të errësirës së mëkateve, sepse kështu do të vijë Drita, përmes Fjalës së Perëndisë. Gënjeshtrat janë shumë të poshtra. Edhe një njeri gënjeshtar nuk do që dikush ta mashtrojë atë. Nëse ne nuk ua themi të vërtetën të tjerëve, është e drejtë nëse ata nuk na besojnë më. Mos gënje!
“Mos vidh.” - Eksodi 20:15 URDHËRIMI I TETË Këtu, udhërimi i tetë i Perëndisë na e jep drejtësinë të kemi prona në botë. Ku nuk ka prona, nuk ka vjedhje. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, “të vjedh” do të thotë: “…t’i marr dikujt diçka fshehurazi a duke e mashtruar…”. Perëndia ynë i shikon të gjitha, dhe e di shumë mirë kur ne marrim diçka që i përket tjetrit. Ka shumë llojë vjedhjesh, dhe nuk kemi kohë t’i përmendim të gjitha ato, por mjafton që unë të them, asnjë njeri nuk ka të drejtë t’i marrë bekimet që Perëndia më ka dhënë mua, pa dëshirën time. As njeriu, as shteti nuk ka të drejtë ta vjedhë. Disa thonë që shteti na vjedh përmes taksave. Jo! Jo! Jo! Nëse kemi një shtet që na mbron, që ndërton dhe mban rrugët, që na paguan pensionin, dhe që bën shumë gjëra të tjera, pastaj ne jemi vjedhës nëse nuk i paguajmë taksat, sepse marrim shërbime dhe nuk i shpërblejmë ato. Këtu ne duhet të përmendim edhe të dhjetat që duhet të jepen në kishë. Zoti tha që ne e kemi vjedhur atë. Domethënë, një e dhjeta nga rrogat tona i përket Zotit dhe duhet t’i jepet kishës. Te Malakia 3:8-10, Bibla thotë: “8 A do ta grabisë njeri Perëndinë? Po ju më keni grabitur, por thoni, Si të kemi grabitur ty? Në të dhjeta dhe dhurime. 9 Ju jeni mallkuar me mallkim; sepse ju më keni grabitur mua, madje i gjithë ky komb. 10 Sillini ju të gjitha të dhjetat në depo, që mund të ketë ushqim në shtëpinë time, dhe më vini mua në provë tani me këtë, thotë ZOTI i ushtrive, në qoftë se unë nuk do t’jua hap dritaret e qiellit, dhe do t’ju derdh juve një bekim, sa nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme ta merrni atë.” A e keni vjedhur Zotin? Tani, le të mbarojmë me një varg nga Dhiata e Re. Te Libri i Efesianëve 4:28, Bibla thotë: “Ai që vidhte, le të mos vjedhë më; por më mirë lereni të punojë, duke bërë me duart e tij gjënë që është e mirë, që ai të mund ta ketë, që t’ia japë atij që ka nevojë.” Amin!
“Mos shkel kurorën bashkëshortore.” - Eksodi 20:14 URDHËRIMI I SHTATË Martesa është diçka e shenjtë sipas Biblës. Kjo është marrëdhënia e parë midis njerëzve, dhe u krijua nga Perëndia. Po! Martesa është ideja e Zotit. Ai krijoi njeriun e parë në kopshtin e Edenit mbi gjashtë mijë vjet më parë, dhe pa që nuk ishte mirë që Adami të ishte vetëm, pastaj Zoti krijoi edhe gruan, Evën. Përkufizimi i fjalës martesë është një burrë dhe një grua në dashuri gjatë gjithë jetës. Është shumë e rëndësishme që këta të jenë besnikë gjithmonë ndaj njëri-tjetrit, sepse martesa simbolizon edhe marrëdhënien midis Jezusit dhe kishës së Tij. Pa dyshim, Jezusi është besnik ndaj nesh, por edhe ne duhet të jemi besnikë ndaj Tij. Nëse bashkëshorti dhe bashkëshortja duan ta kënaqin Zotin, ata duhet të kenë sy dhe zemër vetëm për njëri-tjetrin. Te Efesianëve 5:25, Bibla thotë: “Burra, t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kishën, dhe dha veten e tij për të...”. Gjithashtu, te vargu 33, Bibla thotë: “Megjithatë, veç e veç, le ta dojë kështu, çdonjëri prej jush gruan e tij tamam si veten; dhe gruaja të kujdeset ta nderojë burrin e saj.” Unë besoj që nuk ka marrëdhënie më të bukur midis njerëzve se martesa. Ajo ka nevojë për dashuri, besnikëri, durim, shpresë, lumturi, lot, vizion, dhembshuri, edhe shumë më shumë. Tani, le të shkojmë pak më thellë ta shikojmë mendjen e Zotit për çeshtjen e tradhtisë bashkëshortore. Te Mateu 5:28, Jezusi tha: “Por unë ju them: Se kushdo që shikon me epshe një grua ka bërë tradhti bashkëshortore me atë, tashmë në zemrën e tij.” Ju që jeni të martuar, kini shumë kujdes!
“Mos vrit.” - Eksodi 20:13 URDHËRIMI I GJASHTË Uau! Në gjuhën shqipe ky mund të jetë vargu më i shkurtër në Bibël. Vetëm dy fjalë shikojmë këtu, por dy fjalë me rëndësi të lartë. “Mos vrit”!!! tha Perëndia. Kudo në botë, edhe këtu në jugun e Shqipërisë, dhe pothuajse çdo ditë, ne dëgjojmë lajme që dikush është vrarë për vdekje. Jeta është një dhuratë nga Perëndia dhe asnjë nuk ka të drejtë ta vjedhë atë dhuratë nga ndonjë njeri, as nga vetja. PO! Edhe vetëvrasja është mëkat. Në fakt, kjo mund të jetë vepra më egoiste në botë. Nëse dikush mendon që jeta e tij nuk ka vlerë, të mos mendojë kaq shumë për veten, por të jetojë për Zotin. Jezusi u sakrifikua në kryq për njerëzit e botës. Domethënë, Ai vdiq për hatrin tonë që ne të mund të jetojmë për hatrin e Tij. Nëse jetojmë për Jezusin këtu në botë, patjetër nuk do të bëjmë vrasje, por do t’u shërbejmë njerëzve. Diçka tjetër që duhet të them është, lejohet nga Bibla që kafshët të theren. Ky nuk është mëkat. Perëndia na i dha këto për mish. Vargu i sipërm flet për vrasje njerëzore. Tani, në fund, le të shkojmë te Dhiata e Re e Biblës, që ta kuptojmë më mirë mendjen e Zotit mbi këtë temë. Te Letra e parë e Gjonit 3:15, Bibla thotë: “Kushdo që e urren vëllanë e tij është një vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme brenda tij.” Po, edhe urrejtja konsiderohet si vrasje në sytë e Perëndisë. Pra, le të jetojmë për lavdinë e Zotit dhe të kemi kujdes që të mos mbjellim asnjë farë urrejtjeje, sepse atje fillon vrasja.
“Nderoje babanë tënd dhe mamanë tënde; që ditët e tua të mund të jenë të gjata në vendin që ZOTI, Perëndia yt, të jep ty.” - Eksodi 20:12 URDHËRIMI I PESTË Çfarë do të thotë folja “nderoj”? Kur nderojmë dikë, ne tregojmë që janë shumë të çmuar sipas nesh. Ne e kemi këtë si urdhër nga Perëndia ta vlerësojmë lart babanë dhe mamanë. A i nderojmë ne prindërit aq sa duhet? Vini re që vargu nuk thotë që të respektojmë vetëm ata prindër që janë të mirë. Ka raste edhe kur prindërit nuk janë të mirë. Për shembull, ne e dimë që ka prindër që i keqtrajtojnë fëmijët e tyre. Prapë, Bibla thotë që ne t’i nderojmë ata. Ka raste edhe kur fëmijët nuk janë dakord me prindërit për ndonjë çështje, por sipas Perëndisë, për fëmijët, gjëja e drejtë është që ata gjithmonë t’u binden prindërve. Po! Te Libri i Efesianëve 6:1, Bibla thotë: “Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin; sepse kjo është e drejtë.”. Patjetër, nëse prindërit ju thonë të bëni diçka të keqe, diçka kundër Zotit, kundër Biblës, mos e bëni atë, sepse ne i shërbejmë edhe Atit tonë në qiell. Nuk ka prind tjetër, aq të mirë si Ai. Lidhur me këtë urdhër është një premtim që Zoti mund t’i bekojë me jetë më të gjatë, ata që nderojnë babanë dhe mamanë e tyre. Te Efesianëve 6:2-3, Bibla thotë: “2Nderoni babanë dhe mamanë tuaj; (që është urdhërimi i parë me premtim;) 3Që të mund të jetë mirë për ty, dhe ti të mund të jetosh gjatë mbi dhe.”. Edhe kur jemi të rritur, le të mos harrojmë t’i nderojmë dhe t’i respektojmë ata që Perëndia na dha si prindër. Amin!
“8Kujtoje ditën e sabathit, për ta mbajtur atë të shenjtë. 9Ti do të punosh gjashtë ditë dhe do të bësh gjithë punën tënde; 10Por dita e shtatë është sabathi i ZOTIT, Perëndisë tënd; në atë ditë ti nuk do të bësh asnjë punë, ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as bagëtia jote as mysafiri yt që është brenda portës sate; 11Sepse brenda gjashtë ditëve ZOTI bëri qiellin dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtatë pushoi; prandaj ZOTI e bekoi ditën e sabathit dhe e shenjtëroi.” - Eksodi 20:8-11 URDHËRIMI I KATËRT Sipas Biblës, çdo njeri duhet të punojë. Me mendjen, me duart, në zyrë, në fushë, në shtëpi, kudo që të jetë puna jonë, ne duhet të jemi besnikë për këtë. Bibla thotë që nëse një njeri nuk punon, ai nuk duhet të hajë. Në një vend tjetër Bibla thotë që ai njeri që nuk kujdest për të tijtë është më i keq se një i pafe. Përtacia, ose papunësia nuk duhet të ketë vend në jetën e besimtarëve. Zoti na dha gjashtë ditë në javë për të punuar dhe ditën e shtatë për të pushuar. Perëndia do që ne të kemi një pushim, dhe jo thjesht një pushim, sepse Ai na tha ta mbajmë atë ditë të shenjtë. Domethënë ta bëjmë atë të shenjtë. Ne, besimtarët e Biblës e konsiderojmë një ditë të shenjtë, apo jo? Çdo të dielë pushojmë nga puna dhe shkojmë në vendin e shenjtë (kisha) që ta adhurojmë në shenjtëri Atë që është i Shenjtë. Po! Ne mund të themi që dita e dielë respektohet si dita e shenjtë e javës (sabathi) për të krishterët, dhe kemi shumë prova për këtë në Dhiatën e Re të Biblës. Megjithatë, ne e dimë që jo çdo kalendar është njësoj. Amen! Le të vazhdojmë ta mbajmë ditën e dielë të shenjtë për Perëndinë me lutje, me këngë adhurimi, me predikimin e Biblës, me vajtjen në kishë. Amen!
“Ti nuk do ta marrësh më kot, emrin e ZOTIT, Perëndisë tënd, sepse ZOTI nuk do ta quaj pafaj atë që e merr emrin e tij më kot.” -Eksodi 20:7 URDHËRIMI I TRETË Nëse e kuptojmë këtë, apo jo, çdo ditë midis njerëzve të botës ne dëgjojmë shumë herë emrin e Zotit. Kur ata betohen, mallkojnë ose kur janë të habitur, njerëzit që nuk besojnë te Zoti prapë e përdorin shumë emrin e Tij. Problemi është që ta marrësh ose ta përdorësh emrin e Perëndisë më kot është mëkat. Këta që përdorin më kot emrin e Tij, tregojnë që janë jobesimtarë. Kur ne përmendim emrin e Zotit vetëm me respekt, kjo tregon që kemi frikë ndaj Tij dhe që e kuptojmë madhërinë e Tij. Është vërtetë e tmerrshme që nëntëdhjetë e pesë përqind nga rastet kur dëgjojmë emrin e Perëndisë sonë, ai përdoret si mallkim. Në vargun e mësipërm, ne shikojmë që ai ose ajo që e bën këtë, nuk do të jetë pafaj. Ndoshta mendojmë që fjalët nuk kanë vlerë, dhe që ne nuk do të pësojmë ndonjë gjë për ato që kemi thënë. Shikoni pak këto fjalë nga Ungjilli sipas Mateut 12:36, Bibla thotë: “Por unë ju them: Se njerëzit do të japin llogari, për çdo fjalë të kotë që thonë, në ditën e gjykimit.” Kur isha i ri dhe midis shokëve, përdorja shumë fjalë të këqija. Në fakt, çdo njëri nga ne fliste kështu. Pse? Ndoshta për shkak të presionit të shokëve. Ndoshta sepse dëgjonim përditë këto fjalë në shkollë, në televizor dhe në radio. Por, erdhi momenti kur unë vendosa me dëshirë t’i shërbeja sinqerisht Zotit, dhe ndryshova fjalorin tim. Po! Ne mund të ndryshojmë fjalorin që të mos përdorim më kot emrin e Zotit, ose ndonjë fjalë tjetër të keqe. Problemi është nëse kemi dëshirë apo jo ta ndryshojmë atë.
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
December 2024
Kategoritë |