“Dhe ai u përgjigj dhe u tha atyre: Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që dëgjojnë fjalën e Perëndisë, dhe e zbatojnë atë.” - Lluka 8:21 Lavdi Zotit! Ne jemi të pranuar para Perëndisë! Unë lexova pak sot nga një shkrues tjetër, dhe ai e përmendi këtë varg. Ai tha që edhe kur ne ndjehemi që nuk meritojmë gjë nga Perëndia, prapë jemi të pranuar. Ai tha që ka ditë kur jemi pak të paqejf, të trishtuar, ose të sëmurë, por edhe në ato ditë jemi të pranuar. Ka ditë kur ndjehemi shumë mirë dhe jemi gëzimplotë, edhe në ato ditë jemi të pranuar para Perëndisë. Si mund të jetë kështu? Sepse Perëndia nuk ndryshon. Ai është njësoj dje, sot dhe përgjithmonë. Prandaj pozicioni ynë në shpëtimin e Tij është i sigurtë, i pandryshueshëm, i palëkundshëm. Shikoni edhe njëherë vargun: “…ai na ka bërë të pranuar në të dashurin…”. Kush është Ky i Dashuri që na bëri të pranueshëm para Perëndisë? Është Jezusi! Shikoni se sa e sigurtë ishte puna e Tij në kryq për ne. Ne jemi të pranuar sot dhe përjetë! Lavdi Zotit! Tani, nëse ne kishim kontroll mbi shpëtimin tonë, pa dyshim, ne do ta humbasim atë, por meqë është Zoti që na mban, jemi të sigurtë. Le të çlodhemi në Zotin sot, le të gëzohemi në Të, sepse sido që të ndodhë jemi të pranuar. Lavdi Zotit!
0 Comments
“Gëzoni në Zotin gjithmonë; dhe përsëri ju them: Gëzoni.” - Filipianëve 4:4 Lavdi Zotit! Unë jam i lumtur që jam i shpëtuar! Jam i shpenguar me Gjakun e Qengjit të Perëndisë! Edhe ju, nëse e keni pranuar Jezusin si Shpëtuesi dhe Zoti i jetës suaj, edhe ju jeni të shpëtuar dhe të sigurtë në Krishtin. Vargu i mësipërm thotë: “Gëzoni në Zotin gjithmonë…”. Kjo do të thotë: Lavdëroni Zotin pa fund, non-stop. Jepni Atij lavdi! Pse? Sepse sot u zgjuam me shpresë dhe paqe në zemër. Ne e dimë që jemi të bekuar me dashurinë e Tij. Përmes Jezu Krishtit, ne kemi paqe me Perëndinë. Lavdi Zotit! Mos lejoni që Djalli ta vjedhë gëzimin tuaj. Ai nuk donte që ju ta shikonit dritën sot. Ai do që ju të jeni të mjeruar, të trishtuar, të mbytur në mëkat. Por jo! Gëzoni në Zotin! Ky nuk është një sugjerim për jetën tuaj; ky është një urdhër nga Perëndia. Gëzoni në Zotin gjithmonë! Dhe ja, shikoni që Ai e tha dy herë këtë. Kjo do të thotë që ne duhet të hapim sytë, t’i vëmë veshin, të kuptojmë mirë që Zoti ka një rrugë plot gëzim për ne sot. Po ju, ku do të shkoni? A do të vazhdoni të jeni të pushtuar nga mendimet e njerëzve, nga fuqia e djallit, apo do të bëni atë që thotë Perëndia? Gëzoni sot dhe përgjithmonë! Amen! Lavdi Zotit!
“Prandaj merrni me vete gjithë armatimin e Perëndisë…Dhe këmbët tuaja të veshura më përgatitjen e ungjillit të paqes…” - Efesianëve 6:13, 15 Një ushtar duhet të kujdeset mirë për këmbët e tij. Këmbët mund të jenë gjymtyrat më të rëndsishme të ushtarit. Nëse ka probleme me këmbë, ai nuk mund të ecë dot. Nëse nuk ka këpucë të mira, ai nuk mund të marshojë dhe nuk mund të luftojë si duhet. Nëse këmbet e tij janë të laguara ose të ftohta, ai do të sëmuret, dhe do të jetë në shtrat dhe jo në fushën e betejës. Edhe ne jemi ushtarë në ushtrinë e Perëndisë. Jemi duke luftuar për hatrin e Perëndisë kundër djallit dhe engjëjve të satanit. Vargu i mësipërm thotë që ne duhet t’i kemi këmbët të veshura me përgatitjen e ungjillit të paqes. Fjala “përgatitje” është fjala kryesore këtu. Ne duhet të jemi gati për luftë, gati t’i bindemi çdo urdhëri që vjen nga Kapiteni ynë, gati për çfarëdo që djalli do të sjellë kundër nesh. Ne mund të përgatitemi me Ungjillin. Ungjilli është “Lajmi i mirë i Jezu Krishtit”. “Ungjilli” (ose me fjalë të tjera, “Vdekja, Varrosja dhe Ringjallja e Jezusit për hatrin tonë”) është ai që solli paqe midis nesh dhe Perëndisë. Ndërsa ne ecim çdo ditë në luftë për Perëndinë, le të marshojmë me këtë shpresë në zemër: Ne kemi paqe me Perëndinë përmes Jezusit; përmes sakrifikimit të Tij. A jeni gati për luftë sot? Sa mirë do të jetë për ushtarët që të luftojnë për një mbret që ata e duan shumë, dhe që këta ushtarë ta kuptojnë mirë që edhe Mbreti i tyre i do shumë ata. Kështu edhe ne mund të luftojmë me këtë shpresë në zemër, me Ungjillin e paqes, paqja midis nesh dhe Perëndisë.
“…të njihni dashurinë e Krishtit, që kalon dijeninë…” - Efesianëve 3:19 Nxënësit, studentët dhe mësuesit po fillojnë një vit të ri shkollor. Kjo është një kohë kur qytetarët janë shumë të zënë, në lëvizje, me përgatitje dhe studime. Ne shpresojmë që si të vegjlit edhe të rriturit të kenë sukses duke mësuar dhe duke ndërtuar të ardhmen e tyre. Më lejoni të shtoj diçka që ne duhet të mos ta harrojmë: Ne duhet të mësojmë për dashurinë e Krishtit. Ja! Vargu i mësipërm thotë që ne ta njohim dashurinë e Tij; të mësojmë se sa e madhe është dashuria e tij për ne dhe të kemi dashuri të fortë në zemrat tona për Jezusin. Vargu thotë që dashuria e Krishtit “…kalon dijeninë…”. Ne mund ta studiojmë dashurinë e Tij gjithë jetën dhe prapë nuk do të arrijmë të kuptojmë tërësinë e saj, sepse “kalon dijeninë”. Ndoshta shkencëtarët mund ta mahnitin popullin me dijenitë e tyre, por edhe ata nuk mund ta kapin plotësisht mrekullinë e dashurisë së Krishtit. Për shembull: Le të themi që një njeri gjenial që filloi në garën e të mësuarit dhe arriti në vijën e përfundimit duke pasë mësuar çdo lloj dijenie në botë, prapë, edhe ky nuk mundi ta kapë plotësisht në mendje Dashurinë e Zotit. Te libri i Fjalëve të Urta, Bibla thotë: “Frika ndaj Perëndisë është fillimi i dijenisë, por budallenjtë përbuzin mënçuri dhe udhëzim.” (Fjalët e Urta 1:7) Zoti ju bekoftë!
“Që Krishti të mund të banojë në zemrat tuaja prej besimit…” - Efesianëve 3:17 Si është situata në zemrën tuaj sot? Ky varg na thotë që Krishti mund të jetojë atje, nëse ne kemi besim. Ne e përdorim shpesh këtë shprehje, “besojmë te Jezusi”, por unë mendoj që shumë pak e kapin mirë kuptimin. Nëse nuk keni një zjarr në zemrën tuaj për Krishtin, ju nuk e njihni fare Krishtin, sepse, si mund të keni kontakt me Atë, dhe të vazhdoni në jetën normale. JO! Krishti do ta ndryshojë zemrën dhe jetën tuaj plotësisht. Atje, ku kishte errësirë, tani do ketë dritë (Drita e Perëndisë); atje, ku kishte urrejtje, do të keni dashuri; atje, ku ju ishit të pashpresë do të gjeni një rrugëdalje nga mjerimi juaj. A jeton Krishti brenda jush me të vërtetë? Nëse ndonjë nga ju do të vinte në shtëpinë time, unë do të siguroja që shtëpia të jetë e pastër dhe që ne të jemi gati për vizitën. Nëse duam që Krishti të jetojë në zemrën tonë, pse nuk përgatitemi për Atë? Pse nuk e pastrojmë zemrën nga urrejtja, inati, zilia, nga mendimet dhe ndjenjat e këqija? Pse nuk shtojmë atje gjëra të mira, dashuri, paqe, përulësi, gëzim, durim, mirësi, besim? Në momentin që ne fillojmë të besojmë te Jezusi, në atë moment që e pranojmë Atë si Shpëtuesi dhe Zoti i jetës sonë, Krishti hyn brenda nesh dhe qëndron atje. Pra, le kujdesemi mirë për gjendjen e zemrës sonë, që ambienti atje të jetë mikpritës për Jezusin, Mikun tonë të dashur.
“Ai që nuk kurseu Birin e vet, por e dorëzoi atë për ne të gjithë, si nuk do të na japë me të edhe të gjitha gjërat falas?” - Romakëve 8:32 Pse e dha Perëndia Birin e Tij? Ne ishim dënuar në mëkat, dhe Bibla thotë që pa derdhjen e Gjakut nuk ka falje të mëkateve. Pra, Perëndia e dërgoi Birin e Tij të vdiste për hatrin tonë që ne të mos humbasim. Vargu i mësipërm e shpjegon këtë. Nëse Perëndia e dha Birin e Vet, Ai nuk do të mbajë asnjë gjë tjetër nga ne. Për shembull, si mund të refuzojë Ai të na japë bukë? Ai na dha Birin e Tij! Çfarë është buka në krahësim me Atë? Për shembull: “Nëse ju do të shkonit te një njeri i pasur për ndihmë, dhe atje te tryeza ai do kishte shumë lekë; pesëmijëlekëshe, dymijëlekëshe, njëmijëlekëshe plot. Dhe, Ai ju thotë: Merrni nga këto pesëmijëlekëshe sa të doni!” Pa tjetër, do t’i merrni. Por shikoni, nëse Ai jua dha ato që janë më të shtrenjta, a mendoni që do t’jua refuzonte ato që janë më të lira? Perëndia na dha Birin e Tij të dashur, Bukën e jetës, falas. Ai që na dha Bukën e jetës, sigurisht që do të na japë edhe bukën e gojës. Lexojeni edhe një herë vargun: “Ai që nuk kurseu Birin e vet, por e dorëzoi atë për ne të gjithë, si nuk do të na japë me të edhe të gjitha gjërat falas?” Le të shkojmë tek Ati ynë qiellor çdo ditë me lutje. Ju nuk mund ta imagjinoni se sa e madhe është dashuria e Tij për ju. Ai do t’i plotësojë nevojat që keni. Ai kujdeset besnikërisht për fëmijët e Tij.
“…çdo gjë që nuk bëhet me besim është mëkat…” - Romakëve 14:23 Veprat që bëjmë duke i shërbyer Zotit, duhet të bëhen me besim. Ato që bëhen pa besim janë mëkate. Çfarë do të thotë kjo? Domethënë: Ndodh në jetë që ne bëjmë disa gjëra dhe nuk e dimë me siguri nëse janë të drejta apo jo. Atëherë ne veprojmë me dyshime. Nga Bibla, ne mësojmë Fjalët dhe rrugët e Perëndisë dhe e kuptojmë se çfarë është e drejtë para Tij. Pse të vazhdojmë në dyshime? Ne jemi besimtarë që e studiojmë Biblën. Na duhet ta dimë vullnetin e Tij! Nëse nuk e dimë atë, është sepse kemi lënë pas dore ta mësojmë Fjalën e Tij. Djalli do që ju të jetoni pa të vërtetat e Zotit. DËGJONI! Nëse ka ndonjë frymë që ju tërheq nga mësimet e Biblës, kjo është nga Djalli. Te Libri i Gjonit 4:24, ne mësojmë ta adhurojmë Zotin në frymë dhe në të vërtetën. Mos harroni kurrë që kemi nevojë për të dyja, frymën dhe të vërtetën! Sepse ka fryma ose shpirtra që nuk janë prej Perëndisë, janë mashtruese, por nëse e kemi Biblën, ne do t’i kuptojmë karakteristikat e Perëndisë dhe do t’i bindemi vetëm Asaj Fryme që vjen prej Tij, Frymës së Shenjtë. Ka edhe njerëz që megjithëse i kanë të vërtetat e Zotit në dorë, ata nuk kanë Frymën e Tij. Këta i shërbejnë Zotit vetëm me mendje, domethënë, në një mënyrë intelektuale. Ky është një gabimi i madh! Perëndia është një Frymë! Një mendje njerëzore ose tokësore nuk mund të kuptojë, nuk mund t’i kapë gjërat e Perëndisë. Pra, kur ecim sipas Frymës duke përdorur Biblën si harta rrugore të jetës, ne do ta dimë vullnetin e Atit tonë në qiell, dhe nuk do të punojmë më me dyshime, por me besim, duke u larguar nga çdo lloj mëkati.
“Si mund të besoni ju që pranoni nder nga njëri-tjetri, dhe nuk kërkoni nderin që vjen vetëm prej Perëndisë?” Gjoni 5:44 A i respektojmë ne njerëzit më shumë se Zotin? A kërkojmë ne të nderohemi në sytë e njerëzve dhe jo në sytë e Perëndisë? Ky problem ekziston kudo në botë. Çdo njeri dëshiron të jetë mbret ose bos. Le të mos harrojmë që Perëndia është atje lart, dhe është gati ta bekojë dhe ta nderojë atë që i shërben Jezusit. Ne duhet të jemi të drejtë dhe të miratuar në sytë e Tij. Te Gjoni 12:26, Jezusi tha: “…nëse ndonjë njeri më shërben, Ati im do ta nderojë atë.” A mund ta imagjinoni këtë që Zoti të na nderojë neve? A doni nder nga Perëndia më shumë se atë të njerëzve? “Nderoj”, çfarë kuptimi ka kjo fjalë? Kur e nderojmë dikë, ne tregojmë që ai ose ajo vlerësohet shumë nga ne. Për shembull: Bibla na mëson që ne duhet t’i nderojmë prindërit tanë, domethënë, të kujdesemi për ta, t’i duam ata dhe të tregojmë respektin më të lartë. Pse? Sepse kështu thotë Bibla. Shërbejini Jezusit bashkë me mua këtë javë! Le ta kërkojmë nderin që vjen nga Perëndia sot, nesër dhe gjithmonë. Le t’i shërbejmë Atij në lutjet, në dhurimet, në studimet dhe në predikimin e Fjalës së Tij. Ky është qëllimi më i lartë i jetës, t’i shërbejmë Zotit! Amin!
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
September 2024
Kategoritë |