“Edhe në kamp ata e patën zili Moisiun, dhe Aaronin shenjtorin e Zotit.” -Psalmi 106:16 Çfarë është zilia? Zilia është kur ne ndjejmë dhembje, shqetësim, ose inat kur shikojmë autoritetin ose suksesin e dikujt. Shpeshherë kjo shkakton urrejtje për atë njeri, një dëshirë për ta lënduar, ose të paktën të gëzohemi kur e shikojmë atë në vështirësitë ose halle. Noah Webster thotë që zilia buron nga krenaria, ambicia, ose dashuria, kur ne shikojmë dikë që ka fituar atë që ne duam fort ta kemi. Me këtë përkufizim, ne mendojmë pa dyshim që “zilia” është mëkat. Izraelitët e shihnin autoritetin që Perëndia u kishte dhënë Moisiut dhe Aaronit, dhe ata thanë, “Ju merrni shumë gjëra përsipër.” Ata vazhduan, “…ZOTI është midis tyre: përse pra ngriheni mbi asamblenë e ZOTIT?” Këta, mbi dyqind burra të Izraelit, e shihnin me zili pozitën e Moisiut dhe Aaronit. Zilia është një mëkat shumë i zakonshëm por dhe shumë i rafinuar. Ndoshta kjo i mban në këmbë mediat sociale. Njerëzit futen në internet për të parë çfarë kanë njerëzit e tjerë, ose çfarë po bëjnë të tjerët, dhe pastaj i krahasojnë këto me jetët e tyre. Miq, mos bini në kurthin e zilisë! Jini të kënaqur me atë ju jep Perëndia.
0 Comments
“Dhe Moisiu u kthye te ZOTI, dhe tha, Zot, përse i ke trajtuar kaq e keq këta njerëz? për ç’arsye më ke dërguar mua?” -Eksodi 5:22 A jeni përpjekur ndonjëherë të ndihmoni dikë dhe të dukej sikur problemi bëhej më keq? A keni vendosur ndonjëherë që do t’i bindeshit Perëndisë dhe ajo që të del është se kjo bindje solli më shumë vuajtje në jetën tënde, ose në atë të tjerëve? Moisiu po provon të njëjtin problem. Ai ka bërë pikërisht atë që Zoti i tha të bëjë. Ai ishte pak ngurrues në fillim. Ai ishte i kënaqur me punën e bariut. Ai kishte kaluar dyzet vjet si një princ në Egjipt, por më pas ia mbathi sepse ai vrau një egjiptian për të shpëtuar një skllav izraelit. Atëherë, ai kaloi dyzet vjet si një bari, por ai u thirr prej Perëndisë dhe u dërgua për t’i çliruar izraelitët nga skllavëria. Ai iu bind. Ai qëndroi para Faraonit dhe shpalli Fjalët e Perëndisë, “Lejoji njerëzit e Mi të ikin”! Faraoni nuk pranoi, dhe pastaj e shtoi ngarkesën e punës për skllevërit. Tani, ne e gjejmë Moisiun duke dyshuar nëse Perëndia bëri një gabim. Ai e pyeti Zotin, “…për ç’arsye më ke dërguar mua?” Miq, vijoni rrugën e bindjes ndaj Perëndisë dhe do të kuptoni që Perëndia është i mençur dhe i pagabueshëm!
“Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij; që lavdia të mund të rrojë në tokën tonë.” -Psalmi 85:9 Kjo fjala “lavdi” në gjuhën hebraike do të thotë shkëlqim ose nder i madh. Në një kuptim ajo do të thotë ndriçim. Për shembull, lavdia e diellit është më e madhe se ajo e hënës. Perëndia është rrethuar me këtë lavdi ndriçuese. Lavdia e Tij ia kalon asaj të diellit. Fjala “lavdi” flet edhe për nder dhe lavdërim. Kur ne thërrasim, “Lavdi Zotit!”, ne themi, “Lavdërimet i përkasin Atij!” Ne duhet të kërkojmë ta nderojmë Perëndinë në gjithçka që bëjmë. Mënyra jonë e jetesës duhet t’i japë Atij lavdi. Në vargun tonë, ne shikojmë një dëshirë të shprehur që lavdia të jetë në vendin tonë. Si mund të shikohet lavdia dhe nderi i Perëndisë në vendin tonë, në shtëpitë tona, dhe në kishat tona? Ne duhet të kemi frikë ndaj Tij! Me këtë nënkuptohet që ne duhet t’i tregojmë Atij nderim dhe respekt të madh. Ai është Perëndi! Ai është i denjë! Frika ndaj Perëndisë do t’ju udhëheqë te shpëtimi përmes besimit në Jezu Krishti, dhe ky shpëtim është dera për te lavdia e Perëndisë. Ne duhet të shpëtohemi nga mëkatet tona, nga epshet tanë dhe nga fuqia e djallit. A jeni të shpëtuar sot? A e keni pranuar Jezusin si Zotin dhe Shpëtuesin tuaj? Lavdia e Perëndisë po ju pret matanë derës së besimit.
“Dhe Jakobi babai i tyre u tha, ju më keni privuar nga fëmijtë e mi: Jozefi nuk është, dhe Simeoni nuk është, dhe ju doni të merrni Benjaminin: të gjitha këto gjëra janë kundër meje.” -Zanafilla 42:36 Këtu ne e shikojmë një ankesë të shkurtër të patriarkut Jakob, emrin e të cilit Perëndia ndryshoi në Izrael. Biri i tij, Jozefi ishte shitur fshehtas në skllavëri prej vëllezërve të tij, dhe ata e bindën atin e tyre që Jozefi ishte vrarë nga një bishë e egër. Kur ra një zi e madhe buke në vend, vëllezërit që mbetën përveç Benjaminit, shkuan në Egjipt për ushqime. Atje ata u quajtën spiunë. Pasi e futi në burg Simeonin, princi i Egjiptit u tha, “…më sillni vëllain tuaj të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja, dhe ju nuk do të vdisni.” Vëllezërit ia rikthyen lajmin babait të tyre, dhe Jakobi thërriti, “…të gjitha këto gjëra janë kundër meje.”!!! Ai nuk e dinte që princi në Egjiypt ishte biri i tij Jozefi, dhe se Simeoni ishte i siguruar, dhe që Perëndia po i bënte këto gjëra për të mirën e tij. Këto gjëra nuk ishin kundër atij, ato ishin për të. Ndoshta sot ju ndjeheni që gjithçka është kundër jush. Perëndia ju premton që nëse e doni Atë, të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirën tuaj. Amen!
“Ai që ka lakmi për fitime shqetëson shtëpinë e tij; por ai që i urren dhuratat do të jetojë.” -Fjalët e urta 15:27 Rendja pas pasurive! Kjo ka qenë rrënimi për shumë njerëz. Ky varg flet drejtpërdrejt për shtëpinë tonë, vendin ku ne jetojmë me familjen tonë. Unë besoj që ne të gjithë duam të kemi një familje të lumtur dhe të qetë, por përpjekja të kemi gëzim në jetën tonë, është e vazhdueshme. Ky varg flet për një person që nuk është kurrë i kënaqur, që gjithmonë dëshiron më shumë. Ai madje mashtron, për ta fituar atë që do, të cilën nuk mund ta fitojë ndershmërisht. Qëndrimi i tij do ta shkatërrojë familjen e tij nga brenda. Ai gjithmonë u bërtet fëmijëve të tij. Ai gjithmonë inatoset me gruan e tij. Ai harron që edhe ai është njeri dhe nuk është aspak i përsosur. Shtëpia e tij është një vend i tmerrshëm dhe i mjerë dhe për të qenë. Te vargu, ne shikojmë edhe një njeri tjetër, një njeri që nuk mund të blihet, një njeri të pa korrupsion. Ai është i kënaqur me çfarë i jep Perëndia. Ai është i lumtur të fitojë jetesë të ndershme dhe prandaj merr vendime të mençura dhe të ndershme, të cilat i japin lavdi Perëndisë. Lakmia=Vdekja Ndershmëri=Jetë
“Dita është jotja, edhe nata është jotja: ti ke përgatitur dritën dhe diellin.” -Psalmi 74:16 Këtë mengjes ndërsa isha ulur dhe shikoja diellin të lindi mbi malet e Shqipërisë, unë u mrekullova me bukurinë e krijimit të Perëndisë. Kush tjetër mund të krijoj diçka kaq të përsosur dhe të patëmetë? Unë kam parë mjaft piktura, madje dhe disa prej pikturave më historike, por me kalimin e kohës, këto piktura zbehen dhe bëhen të zymta. Pikturat e Perëndisë në qiej janë të freskëta çdo ditë. Dita i përket Perëndisë! Edhe nata është e Tij. Ne jemi të kujdesshëm për çfarë bëjmë dhe ku shkojmë natën, sepse rreziku mund të jetë duke pritur natën, por mos harroni që Perëndisë i përkasin edhe nata edhe dita. Ne mund ta krahasojmë natën me kohërat e errëta të jetës sonë, me përvojat vështira që kalojmë të gjithë. Perëndia është Kryearkitekti i jetës sonë. Çdo sprovë përmes së cilës kalon çdo besimtar, është krijuar për të na çuar më afër Atij dhe të na bëjë si Ai. Kjo është dita që ka krijuar Zoti, le të gëzohemi dhe të jemi të lumtur në të!
“Largohu nga prania e një njeriu budalla kur ti e kupton që brenda tij nuk ka fjalë diturie.” -Fjalët e urta 14:7 Ne, si të krishterë, ndjejmë që ne duhet t’u tregojmë të gjithëve dashurinë e Krishtit. Ne duam të jemi zemërbutë, paqësorë dhe të dashur me të gjithë njerëzit. Këto janë qëllime shumë të mira! Ne duhet t’i bindemi urdhërimit të Perëndisë për t’i dashur fqinjët tanë ashtu si vetveten, por le të mos harrojmë vargje si ky, në Bibël. Nga ky varg, ne kuptojmë qartësisht që ka disa njerëz në botë prej të cilëve duhet të qëndrojmë larg. Qëndroni larg prej njerëzve budallenj. Qëndroni larg njerëzve me të cilët ju nuk mund të bëni një bisedë të arsyeshme. Qëndroni larg njerëzve që nuk i respektojnë besimet dhe synimet tuaja. Mos i bëni jobesimtarët miqtë tuaj të ngushtë, sepse ata do të ndikojnë në largimin tuaj nga marrëdhënia me Perëndinë. Unë nuk po them që ne duhet të jemi të pasinqertë me njerëzit, por prapseprapë ne duhet t’i shmangim ata që jetojnë sikur nuk ekziston Perëndia. Bibla thotë që frika ndaj Zotit është fillimi i mençurisë. Pra, nëse dikush nuk ka respekt të madh për Perëndinë, ata ende nuk kanë filluar kërkimin për dituri.
|
Shkruesi:Përshendetje! Unë jam Pastori misionar Aaron Wilson. Këto shkrime janë mendimet e mia të thjeshta për disa vargje nga Fjala e Zotit, Bibla. Ne të gjithë kemi një opinion, por çfarë thotë Bibla??? Arkivat
December 2024
Kategoritë |